Të shtunën përfundon afati për arkat fiskale GPRS
Këtë javë përfundon afati i vendosjes së arkave fiskale të pajisura me GPRS. Kjo nënkupton lidhje elektronike të punës së tatimpaguesve me serverin e Drejtorisë për të Ardhura Publike...

Nga DAP-i bëjnë të ditur se 55 mijë tatimpagues janë të obliguar që të sigurojnë arkën e re. Deri në këto momente mbi 38 mijë arka fiskale pa problem janë regjistruar dhe lidhur me sistemin e DAP-it.
Me arkat GPRS, DAP-i do të detektojë ata tregtarë të cilët nuk japin llogari fiskale dhe fshehin tatimin. Këtë e ka pohuar edhe njeriu i parë i Ministrisë së Financave, Zoran Stavreski. Sipas tij, me këtë sistem do të ulet ekonomia e zezë dhe konkurrenca jolojale.
Gjithashtu do të ulen edhe shpenzimet administrative si për tatimpaguesit ashtu edhe për DAP-in. Procedura e regjistrimit të arkave është e thjeshtë. I tërë procesi përfundon për vetëm 15 minuta nga ana e kompanisë së licencuar ku tatimpaguesi e blen arkën. Kompanitë e licencuara shprehen të gatshme për t’iu përgjigjur kërkesave të tregtarëve.
“Ne me kohë bëjmë përpunimin e të gjitha dokumenteve, bëhen trajnime për çdo ditë për të gjithë tatimpaguesit të cilët kanë vendosur që të blejnë aparatin fiskal. Blerësi me marrjen e aparatit do të mund që menjëherë edhe të shfrytëzojë atë. Ne presim që të rritet interesi për blerjen e arkave fiskale, por ne me resurset tona jemi të gatshëm që t’u përgjigjemi kërkesave të tatimpaguesve”- deklaroi menaxherja në “Duna Komjuter”, Valentina Ivanovska.
Vendosja e arkave të reja kushton nga 150 deri në 450 euro. Këto shpenzime shteti do t’ua kompensojë blerësve në pjesën e paraqitjes së tatimit.
Nga DAP-i apelojnë që arkat fiskale të sigurohen deri më 31 janar, pasi që nuk do të ketë vazhdim të afatit. Nëse tatimpaguesit nuk kanë aparat fiskal me GPRS, kjo do të konsiderohet se ata fare nuk posedojnë aparat fiskal dhe mund të pasojnë dënime në vlerë prej 750 eurove për tatimpaguesit e vegjël, ndërsa për të tjerët gjobat do të kapin vlerën deri në 3 250 euro.
Ligji parashikon edhe masë të përkohshme, mbyllje të objektit prej 15 deri në 30 ditë. (Meral Ismaili, TVM2)
