Maqedoni

Takimi Kovaçevski – Taravari, ASH nuk merr ofertë për hyrje në Qeveri

18.11.2022 14:58

Aleanca për Shqiptarët nuk morri ofertë nga kryeministri Dimitar Kovaçevski për hyrje në Qeveri....

Aleanca për Shqiptarët nuk morri ofertë nga kryeministri Dimitar Kovaçevski për hyrje në Qeveri. Në takimin e sotëm me kryetarin e ASH-së Arben Taravari është folur për vazhdimin e rrugëtimit europian të vendit, funksionimi e shtetit ligjor, luftimin e korrupsuionit dhe për ligjet që janë bllokuar në Kuvend. Taravari deklaroi se për hyrje eventuale në qeveri, mund të vendosin organet e partisë.
 
“Jo nuk e hedh mundësinë për të qenë pjesë e qeverisë. Unë mendoj se anëtarësia është ajo e cila duhet të vendosë, pastaj organet partiake, natyrisht komisioni për organizim të kongresit dhe kuvendi qëndror i partisë i cili funksionon pa marr parasysh se do të kemi kongres të parakohshëm më 17 dhjetor.”, tha kryetari i ASH-së Arben Taravari.
 
Taravari: Me pakon e masave kushtëzojmë hyrjen në qeveri
 
Taravari nuk komenton zërat për dalje të Alternativës nga ekzekutivi nëse partija e tij përfshihet në Qeveri. Ai thotë se për hyrje eventuale do të paraqesin kushte.
 
“Ne kemi një pako masash, të cilat i kemi prezantuar edhe para faktorit ndërkombëtarë por edhe para disa partive politike, por edhe para ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendor, kështuqë këto do të jenë vijat tona të kuqe për të cilat pamarrparasysh a jemi pozitë apo opozitë do të insistojmë me çdo kusht që të kalojnë në parlament dhe të akcelerojnë rrugëtimin e maqedonisë drejt BE-së.”, tha Taravari.
 
ASH pavarësisht veprimit në opozitë apo në pushtet s’do pushojë me kritikat drejtuar qeverisë për përfshirje në krim dhe korrupsion, ndërkohë nuk përjashtojnë komunikimin me të gjitha partitë edhe pse pohojnë se raportet me VMRO – DPMNE-në janë ftohur, pasi sipas Taravarit kjo parti po garon me Të Majtën se cila është më nacionaliste, e që sipas tij minon shanset për koalicionim me parti shqiptare. Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka paralajmëruar takime të tjera me liderë të partive parlamentare për të biseduar vendimet që duhet marrë për ardhëmrinë europiane të vendit.
 
MERALE ISMAILI