Romero: Arsimi nuk funksionon me gjoba
Nëse arsimtarët janë në grevë, qeveria duhet ta respektojë atë, theksoi Martin Romero, kryetar i Sindikatës Evropiane për Arsim në konferencën e përbashkët të mbajtur me udhëheqësin e SASHK-ut...

Ai, duke bërë thirrje për dialog mes qeverisë dhe sindikatës, vlerësoi se situata nuk është në rrugë qorre, por ka hapësirë zgjidhjeje.
“Nëse keni grevë, atëherë është grevë dhe qeveria duhet medoemos ta respektojë këtë. Mund të mbani grevën në forma të ndryshme. Këtu arsimtarët shkojnë në punë dhe nuk mbajnë mësim, por mund edhe mos të shkoni në shkollë. Me sjelljen e mospërkrahësve të grevës, me qëllim të zëvendësimit të arsimtarëve, tregohet mungesë respekti ndaj punës. Greva është një mënyrë ligjore me të cilën njëra palë mundohet të shpreh diçka”- deklaroi kryetari i Sindikatës Evropiane për Arsim, Martin Romero.
Ndërkohë, kryetari i SASHK-ut edhe një herë ripërsëriti qëndrimin se greva e përgjithshme do të vazhdojë.
“Shumë herë e kam thënë dhe po e them se bojkoti i përgjithshëm i SASHK-ut vazhdon, ne shkojmë në vendet e punës, por nuk i kryejmë obligimet. Edhe kolegët tanë të cilët janë në bojkot, nuk marrin pjesë në testimin ekstern. Po e them prapë, ne jemi në bojkot të përgjithshëm. Kemi dëshmi ku kemi thënë se jemi pro testimit ekstern, por kundër gjobave dhe shpërblimeve. Mund t’iu tregojmë kur të doni se SASHK-u asnjëherë nuk i ka mbështetur këto masa”- tha kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov.
Kryetari i Sindikatës Evropiane për Arsim, Martin Romero, i cili po qëndron për vizitë në Maqedoni me shpresë për të ndihmuar dialogun ndërmjet SASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit, sot ka realizuar takim edhe me ministrin e Arsimit, Abdylaqim Ademin dhe atë të Punës dhe Politikës Sociale, Spiro Ristovskin. (Sanije Kasami, TVM2)
