Prishtinë, përleshje mes policisë dhe protestuesve

27.01.2015 18:22

Incidente dhe shumë persona të lënduar, një kaos i vërtetë është regjistruar sot nëpër rrugët e Prishtinës, pas eskalimit të protestës së organizuar nga Lëvizja “Vetëvendosje”, të cilët dolën në mbrojtje të Kombinatit të “Trepçës” dhe kundër Jabllanoviqit...

Protesta e sotme nisi e qetë,  deri në momentin kur protestuesit nisën të qëllonin me gurë ndaj ndërtesës së qeverisë. Objekti i ekzekutivit të Kosovës sot ishte i rrethuar me pjesëtarë të shumtë policor. Policia, për ta qetësuar turmën, e cila nisi përleshjen fizike me trupat e rendit, përdori gazin lotsjellës.

Mediat kosovare raportojnë për të plagosur nga të dyja palët,  ndërsa shumë protestues janë ndaluar nga policia. Ende nuk ka një shifër zyrtare se cili është numri i saktë i protestuesve që kanë mbetur të plagosur nga përleshjet e sotme.  Raportohet gjithashtu edhe për dëme të shumta materiale.

Sipas policisë, dhuna nisi pas fjalimeve nxitëse nga ana e organizatorëve,  me ç’rast një grup i protestuesve ka filluar të sulmojnë policët, duke hedhur mjete të forta, mjete piroteknike në drejtim të njësiteve policore, të cilat detyrimisht janë dashur të intervenojnë për t’i parandaluar sulmet e tilla, duke përdorur gazin lotsjellës.

Në protestën e sotme rreth 22 policë mbetën të plagosur. Mes të plagosurve u regjistruan edhe krerët e “Vetëvendosjes”, Albin Kurti dhe Visar Ymeri, të cilët u rikthyen më pas në sheshin e protestës. Dhjetëra protestues kanë përfunduar në stacionin policor.

Mediat kosovare njoftuan edhe për ndalimin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, i cili më pas është liruar. Shpend Ahmeti dënoi ndërhyrjen e policisë në protestën e sotme në Prishtinë, e cila, sipas tij, protesta ishte e qetë dhe provokimi erdhi nga ana e policisë me vendosjen e barrikadave.

“E dënoj ashpër këtë ndërhyrje. Protesta ishte e qetë dhe provokimi erdhi nga ana e policisë. Unë gjithmonë do të marr pjesë në protesta të tilla”- tha kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate me shkrim ka njoftuar opinionin se "Plani policor në aspektin e sigurisë është duke u zbatuar sipas parashikimit, për të ruajtur rendin dhe qetësinë, si dhe rritjen e perimetrit të sigurisë përgjatë objekteve të rëndësisë së veçantë. Policia e Kosovës vazhdon të njohë të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi dhe nuk ka asnjë qëllim të pengimit të mbajtjes së protestës së paparalajmëruar dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve ashtu siç është deklaruar nga ana e organizatorëve"- thuhet në komunikatë.

Edhe Qeveria e Kosovës përmes një komunikate zyrtare ka dënuar ashpër aktin e sotëm.

"Gjuha kërcënuese e përdorur sot në protestë nga organizatorët e saj është e papranueshme dhe ne i dënojmë aktet e tilla nxitëse”- u tha nga Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Kosovës fton qytetarët e Kosovës për pjekuri dhe maturi politike dhe qytetare, si dhe për tolerancë, gjë që e ka karakterizuar gjithnjë popullin shqiptar, thuhet mes tjerash në komunikatë.

“Vetëvendosje”, mësohet se do të organizojë një tjetër protestë, deri në plotësimin e kërkesave që janë: largimi nga qeveria “Mustafa” i ministrit serb, Aleksandër Jabllanoviçit, si dhe dërgimin në kuvend të Ligjit për “Trepçën”, me qëllimin kthimin e kësaj miniere në ndërmarrje publike. (Merita Gashi TVM2)