Ahmeti, po bisedojmë me ASH-në për futje në Qeveri

20.11.2022 13:10

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti....

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka konfirmuar bisedimet e LSDM-së dhe BDI-së me ASH-në për futjen e kësaj të fundit në Qeveri. Ahmeti ka thënë se ai ka takuar përfaqësues të ASH-së, ndërsa kryeministri Kovaçevski ka takuar kreun e kësaj partie, Arben Taravari.

“Me Aleancën, me përfaqësuesit e tyre i kam bërë unë. Ka bërë takim edhe Kovaçevski me z.Taravari dhe do të shohim se çfarë epilogu do të ketë nga bisedimet që do të bëhen mes palëve. Akoma nuk është biseduar për detajet dhe nuk mund të paragjykoj tani për tani, sepse është një process në zhvillim e sipër” – tha Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Sipas Ahmetit, nevoja për unitet më të madh mes subjekteve shqiptare po ngritet edhe nga miqtë ndërkombëtar.

“Pa politika të sofistikuara ne si shqiptar kemi nevojë për një unitet pak më të madh. Një gjë të atillë e shoh që në vazhdimësi po ngritet edhe nga miqtë tanë që ne si shqiptarë kemi nevojë të jemi pak më shumë të organizuar, pak më shumë unik në drejtim të realizimit të misionit tonë si shqiptar. Ne akoma kemi nevojë që të jemi të rëndësishëm në këtë vend, sepse ka edhe shumë gjëra që kërkojnë unitet të mirëfilltë tek shqiptarët” – u shpreh Ahmeti.

Këto komente Ahmeti i bëri në orët e vona të së shtunes kur përfundoi mbledhja disa orëshe e kryesisë qëndrore të kësaj partie, me përfaqësuesit e ekzekutivit, me ç’rast këta të fundit kanë raportuar për punën e deritanishme.

Siç tha kreu i integristëve, në takim është diskutuar edhe rreth temave që kanë të bëjnë me politikat rajonale dhe evropiane, vetingun, luftën kundër krimit dhe korrupcionit, arsimin, shëndetësinë, si dhe zbatimin e ligjit për gjuhën shqipe. (Naim Sinani, TVM2)