Kongresi i 8-të i PLD-së, Monika Zajkova kryetare e re
Nuk kemi as kohë dhe as gjenerata për të humbur...

Nuk kemi as kohë dhe as gjenerata për të humbur, sfidat aktuale shtetërore kërkojnë vendime të mençura dhe të arsyeshme në interes të të gjithëve, theksoi Monika Zajkova, deputete dhe kryetare e ardhshme e PLD-së në kongresin e tetë të kësaj partie.
PLD-ja është e gatshme të ndjekë rrugën evropiane deri në fund, shtoi Zjkova teksa inkurajoj të gjitha partitë politike që të vendosen mbi interesat e ngushta partiake për të hequr pengesën e fundit për fillimin e negociatave me BE-në.
“PLD është një ekip që ka treguar se ecën përpara drejt progresit dhe hap mundësi të reja e të mira. Politikat progresive që janë bërë në periudhën e kaluar nuk duhet të ndalen këtu dhe pikërisht në frymën e vazhdimësisë si kandidate për kryetare ju dërgoj një apel juve, partnerëve tanë të koalicionit, opozitës, të gjithë qytetarëve, të gjithë së bashku, pa dallim gjinie, moshe, etnie sociale, orientimi politik dhe seksual, le të tregojmë se dimë të duam vendin me vepra, kontributit personal dhe kolektiv”. – tha Kryetarja e re e PLD-së, Monika Zajkova.
Eurodeputeti Ilhan Kyçyk tha se PLD është parti moderne evropiane që punon për interesat e qytetarëve. Ndërsa nga rrjeti liberal evropian besojnë në gjeneratën e re të politikanëve për ardhmërinë Evropiane.
“PLD-ja në vitet e fundit ka treguar se rruga e Maqedonisë është në NATO dhe BE, është e vetmja rrugë e drejtë për vendet e Ballkanit.Grinduni për gjithçka, për ekonomi, politikë sociale, për pensione, paga por kur është fjala që vendi të jetë në NATO dhe BE mendoj se zgjidhja është e qartë”. – u shpreh eurodeputeti, Ilhan Kyçyk.
“Në Evropë dhe në rajon, kemi nevojë për liderë që kuptojnë se është e nevojshme të mbështetemi në kompromise të vështira për një politikë që të çon drejt qëllimit të dëshiruar e që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e plotë e BE-së dhe me këtë ti mundësojë vendit zhvillim më të shpejtë dhe më të mirë”. – theksoi Roman Jakiq, Kryetar i Rrjetit Liberal në EJL.
Kryetari i deritanishëm, Goran Mileski, theksoi se me antarësimin e vendit në NATO beteja është arritur pjesërisht, por mbetet që të përfundojë procesi i negociatave me BE-në. Reformat sipas tij nuk nënkuptojnë vetëm ndryshimin e ligjeve, por kërkojnë edhe ndryshimin e të menduarit dhe të vepruarit. (Naim Ramadani, TVM2)
