Konferenca e 27 për ndryshimet klimatike, vendim për dëmshpërblimin e vendeve të varfëra
Me një vendim historik për dëmshpërblimin e vendeve të varfëra....

Me një vendim historik për dëmshpërblimin e vendeve të varfëra u mbyll konferenca e 27 e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, e cila u zhvillua në qytetin bregdetar të Sharm el-Sheikh në Egjipt.
Vendimi parashikon kompensimin e të gjitha vendeve te varfra të cilat vuajnë nga ngjarje ekstreme të motit të tilla si thatësirat, përmbytjet dhe valët e të nxehtit.
Këto fenomene janë përkeqësuar nga emetimi i gazrave të dëmshme të tilla si dioksidi i karbonit nga vendet e industrializuara.
Ndërkohë që vendet e varfra, megjithëse luajnë një rol të vogël në ndotjen e atmosferës, e cila ndikon më pas në ngrohjen globale, vuajnë pasojat më të rënda nga ndryshimet klimatike.
Ato kishin bërë presion për 30 vjet që vendet e pasura të ndihmonin të paguanin faturën për “humbjet dhe dëmet” e shkaktuara nga ngrohja globale.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres e mirëpriti vendimin me anë të një postimi në Twitter, por tha që akoma më shumë duhej bërë për të reduktuar në mënyrë drastike emetimet e gazrave të dëmshëm duke filluar që nga sot.
Ai i kërkoi të gjitha vendeve në botë që të mos e ngadalësonin luftën e tyre ndaj ndryshimeve klimatike.
Në Konferencë e 27 për ndryshimet klimatike të Kombeve të Bashkuara, morën pjesë rreth 120 kryetarë shtetesh, ndërsa kishte 35 mijë pjesëmarrës.
