Kulturë

Kërçovë: Tenori Kastriot Tusha promovoi monografinë “Kënga popullore qytetare e Elbasanit”

21.11.2022 10:14

Mbrëmë në Qendrën për Kulturë në Kërçovë, u promovua monografia e tenorit Kastriot Tusha...

Mbrëmë në Qendrën për Kulturë në Kërçovë, u promovua monografia e tenorit Kastriot Tusha “Kënga popullore qytetare e Elbasanit”, ndërsa më pas orkestra e harqeve nga qyteti Elbasanit prezentoi një program të pasur artistik.
 
Monografia “Kënga popullore qytetare e Elbasanit”, është një konceptim profesional i një studimi të analizuar  me logjikën e pasionit dhe ndjenjën e artistit që vjen si mbështetje për kulturën e Elbasanit, dhe një hulumtim serioz që shtjellon zanafillën dhe zhvillimin këngës qytetare të këtij qyteti, potencoi autori Kastriot Tusha.
 
Për punën e autorit Kastriot Tusha, folën artisti i merituar Zeqir Sulkuqi dhe profesorët universitar: Ardian Turku, Josif Gjipali dhe Bajram Çupi.
 
Pas promovimit të kësaj monografie, u prezentua koncerti me veprat e kompozitorëve botëror, interpretuar nga orkestra e harqeve të Elbasanit, nën udhëheqjen e maestro Zeqir Sulkuqi dhe dirigjente Agona Çupi. Ky program u pasurua me këngët e bukura të tenorëve të njohur shqiptarë, Kastriot Tusha dhe Josif Gjipali. (Shaban Dalipi)