Botë

Republikanët mes Trump e DeSantis

21.11.2022 13:11

Zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 nuk do të jenë vetëm një garë mes demokratëve dhe republikanëve....

Tani që Donald Trump shpalli kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 të gjithë sytë janë te primaret brenda republikanëve dhe përballja e supozuar me guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis.
 
Ky i fundit nuk ka deklaruar se do të garojë ende, megjithëse mund të thuhet se ai me gjasë do të hidhte kapelën e tij në ring duke konsideruar popullaritetin e tij i cili u rrit pas rizgjedhjes së tij si kreu i shtetit të Floridës këtë muaj.
 
Guvernatori DeSantis, sipas të gjitha gjasave, do të bëhet një kandidat i shkëlqyer presidencial një ditë dhe ai mund të jetë edhe një zëvendëspresident i shkëlqyeshëm për Trump.
 
Por nëse zgjedhja është mes dy burrave për vitin 2024, Trump mund të jetë fituesi i garës.  
 
Ai ka përvojën politike dhe jo vetëm në kuptimin e parë, pasi ai ishte një biznesmen që zotëronte miliarda përpara se të merrte Shtëpinë e Bardhë.
 
Trump është përballur që nga viti 2017, kur u fut në zyrën Ovale me sulme nga Partia Demokratike, si dhe ajo republikane, në të cilën ai aderon.
 
Gjatë gjithë kësaj kohe, Trump ka qenë nën persekutimin e medies, përmes censurimit dhe sulmeve të njëpasnjëshme.
 
Mos tërheqja e Trump pas gjithë këtyre sulmeve bëri që miliona amerikanë të votonin për të.
 
Guvernatori i Floridës vjen nga ushtria dhe ai ka qenë tepër i suksesshëm në shtetin e tij, duke implementuar të gjitha politikat konservatore nëpër shkolla e institucione të tjera.
 
Deri këtu, parimet e DeSantis dhe Trump janë të njëtrajtshme.
 
Edhe pse DeSantis gëzon respekt nga republikanët, më së shumti nga ata që janë kundër rikandidimit të ish-presidentit, beteja për të mundur Trump do të ishte në kufijtë e së pamundurës.
 
Në çështjet gjeopolitike nën Administratën Trump nuk pati luftëra të reja, ai arriti paqen në Lindjen e Mesme dhe ishte në gjendje të komunikonte me diktatorin e Koresë së Veriut, Kim Xhong-Un.
 
Ai iu kundërvu Kinës e cila vijon të sfidojë sërish Shtetet e Bashkuara.
 
Nën moton ‘America First’, Trump mundi të forconte ekonominë amerikane, e cila është në përkeqësim nën zotin Biden.
 
Për 2024-n, republikanët do të duhet të zgjedhin mes një guvernatori të madh dhe një presidenti të madh.
 
Trump e ka shënjestruar DeSantis, pas zërave në rritje që i bëjnë thirrje guvernatorit të kandidojë kundër Trump në primare.