Rasti me shtetësinë e Onishchenkos, Kovaçevski:Përgjegjësi do ketë, ASK me drejtor të ri

21.11.2022 16:59

Departamenti për krime kibernetike...

Departamenti për krime kibernetike po heton incidentin në kanalin e Kuvendit në YouTube, për të cilin të premten është ndërprerë referimi i drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimovski, për rastin e shtetësisë së ukrainasit kontrovers, Oleksandr Onishchenko.

Edhe kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi është në pritje të epilogut. Përgjegjësi duhet  patjetër të ketë, deklaroi me këtë rast kryeministri, Kovaçevski.

“Ajo që unë kërkova është raporti i detajuar dhe i bazuar në analizë të thuktë në pajtim me proceduarat e Agjencisë për Siguri, dhe po ashtu raport nga ana e drejtorit në mbledhje të qeverisë me dyer të mbyllura. Përgjegjësi duhet  patjetër të ketë. Dhe kjo është punë e analizës e cila duhet të bëhet atje dhe unë konsideroj se kjo është duke ndodhur. A do të kemi drejtor të ri të Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe a do të ketë përgjegjësi , unë them po, do të ketë drejtor të ri” – u shpreh Kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski.  

Kryeministri Kovaçevski potencoi se tani më ka filluar procedura për zgjedhjen e drejtorit të ri të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare  me ç’rast pritet mendim pozitiv edhe nga partnerët e tjerë të sektorit të Sigurisë,

Lidhur me rastin e marrjes së shtetësisë nga ana e oligarkut ukrainas Onischenko, drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Dimovski, pati deklaruar se njëri nga personat operativ të shërbimit,  ka dhënë firmën që për Onischenkon nuk ka asnjë pengesë pa u konsultuar paraprakisht me shërbimet e tjera partnere të Agjencisë nëse ky person paraqet rrezik për të marrë shtetësinë e RMV-së. (Merita Gashi, TVM2)