Ekonomi

Kriza energjetike, Bekteshi: Nuk do të ketë restrikcione të rrymës

22.11.2022 12:28

Të gjitha kapacitetet prodhuese të shtetit për energji elektrike do të jenë në gatishmëri...

Të gjitha kapacitetet prodhuese të shtetit për energji elektrike do të jenë në gatishmëri dhe si rrjedhojë vendi nuk pritet të ketë probleme me energjinë elektrike, tha MInistri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
“Mund të ju them qytetarëve dhe kompanive të jenë të qetë. Në Maqedoninë e Veriut pothuajse gjithçka është nën kontroll. Nuk janë paraparë restrikcione. Në vazhdimësi do të furnizohen me energji elektrike të gjithë konsumatorët, duke filluar nga amvisëritë deri te kompanitë e mëdha që janë në tregun e lirë.”,- deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Kursimi i rrymës në tetor, institucionet 24%, më shumë Ministria e Mjedisit -94%
 
Ministri Bekteshi informoi edhe për kursimin e energjisë elektrike nga ana e institucioneve shtetërore. Sipas tij, në muajin tetor institucionet dhe ndërmarrjet publike kanë kursyer 24 për qind të energjisë elektrike, ndërsa krahasuar me tetorin e kaluar, të gjitha institucionet kanë kursyer të paktën 15 për qind të energjisë, ndërsa vetëm ministritë kanë kursyer 33 për qind.
 
“Ministria e Mjedisit është lider në kursimin e energjisë elektrike prej 94 për qind krahasuar me tetorin e kaluar. Ministria e Arsimit ka kursimet më të vogla prej 24 për qind. Kursimi i energjisë elektrike në Ministrinë e Shoqërisë Informative është 50 për qind, në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale 58 për qind, në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe Ministrinë e Financave kursimi është 44 për qind, në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale 40 për qind, Ministria e Ekonomisë kurseu 30 për qind, po aq ka kursyer edhe Ministria e Punëve të Brendshme.”,- theksoi Bekteshi.
 
Ndërtesat administrative të presidentit të Shtetit, Kuvendit, Qeverisë, ministrive, SH. A. EMV, dhe MEPSO kanë arritur një konsum të reduktuar të energjisë elektrike - mesatarisht 29 për qind, që është më shumë krahasuar me kursimet totale prej 20 për qind të realizuar në muajin shtator. Të dhënat tregojnë se 65 komuna kanë kursyer nga 15 për qind, 16 komuna nuk kanë kursyer as 15 për qind, tri komuna nuk kanë kursyer fare, ndërsa 12 komuna kanë arritur kursime më të mëdha se 50 për qind. Ministri Bekteshi tha se nëse nuk vijon trendi i kursimeve, propozon ndëshkime rigoroze për drejtuesit e institucioneve.

ADNAN HAJDARI