Maqedoni
Abetarja e unifikuar - realitet edhe për RMV-në, “institucionet të ndëshkohen nëse nuk ka dygjuhësi”
22.11.2022 12:55
Abetarja e unifikuar parashihet të përfshihet edhe në programin tonë arsimor...

Abetarja e unifikuar parashihet të përfshihet edhe në programin tonë arsimor. Përfitimet nga kjo nismë janë të mëdha, potencon albanologu Avzi Mustafa, sipas të cilit nëse ne synojmë të mësojmë gjuhën standarde shqipe, fëmijët tanë duhet të mësojnë nga abetarja, nga e cila mësojnë bashkëmoshatarët e tyre nga Kosova dhe Shqipëria. Gjatë kyçjes së saj në plan-programin mësimor, Mustafa sugjeron që të ketë disa ushtrime specifike, dedikuar nxënësve tanë.
“Të merren parasysh edhe disa specifika që i takojnë nxënësve të Maqedonisë së Veriut, p.sh. aty ku kemi disa gabime, ku nuk mund t’i përdorim q, ç, xh, të ketë më tepër ushtrime ku nxënësit do të mundohen që t’i theksojnë më bukur. Përndryshe, nuk ka asnjë problem që të mos përdoret një abetare gjithëkombëtare.”,- tha albanologu, Avzi Mustafa.
Institucionet lokale dhe qendrore në vend kanë obligim përkthimin e formularëve në të dyja gjuhët. Ky proces në disa institucione respektohet, por në të tjerat stagnon, potencon drejtori për zbatimin e gjuhës shqipe, Ylber Sela.
“I inkurajojmë edhe institucionet tjera, udhëheqësit që Agjencia është i hapur dhe të përfundojmë fazën që çdo institucion të mos ketë formulare vetëm në gjuhën maqedonase, që qytetari kur të drejtohet te institucionet, pavarësisht a janë lokale apo qendrore, formularet t’i ketë në dy gjuhë dhe shpresoj që duhet Inspektorati i Gjuhëve të jetë më aktiv që të dalë në teren. Unë kam takime të shpeshta me drejtorin e Inspektoratit, Fatmir Iseni, dhe ai më ka premtuar se me rritjen e numrit të inspektorëve dhe aty ku nuk ka zbatim të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, atyre institucioneve t’u jepet vërejtje dhe në rastin e fundit edhe të ndëshkohen.”,- tha drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, Ylber Sela.
Sipas Selës, pengesat që po shfaqen në teren në zbatimin praktik të Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe duhet të tejkalohen me ndihmën e propozime konkrete të Agjencisë drejtuar Qeverisë.
FLUTURA LATIFI
