Maqedoni
Akademi solemne, 114 vjetori i Kongresit të Manastirit
22.11.2022 16:50
Përvjetori i Kongresit të Alfabetit u shënua në frymën e unitetit kombëtar...

Përvjetori i Kongresit të Alfabetit u shënua në frymën e unitetit kombëtar, respektimit të ndërsjellë me bashkëqytetarët tanë të etnive të tjera dhe angazhimin e përbashkët rajonal për integrim në Bashkimin Evropian. Këto ishin mesazhet kryesore që u përcollën nga krerët shtetëror në manifestimin e organizuar nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.
“Dhe, unë me të vërtetë besoj se gjuha na bashkon si komb, si ide dhe në të njëjtën kohë na mundëson bashkëpunim dhe natyrisht përparim dhe zhvillim kolektiv. Këtu e kam ndërmend edhe rajonin më të gjerë, gjegjësisht Ballkanin Perëndimor që është përcaktuar që moti në ndërtimin e shoqërive me vlera të pranuara universale për të drejtat dhe liritë e njeriut. Jemi në një anije, udhëtojmë drejt një caku dhe me rëndësi është të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që ajo anije të mbajë baraspeshën e duhur.”,- tha kryetari i Kuvendit ,Talat Xhaferi.
Kreu i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, u zotua se ekzekutivi do të angazhohet për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhëve në vend duke respektuar vlerat kulturore të njëri tjerit.
“Është detyrimi ynë edhe si qytetarë edhe si shtet që të respektojmë dhe të ruajmë gjuhët e të gjithë bashkësive që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Shoqëria jonë është e njohur për karakterin e saj multi-kulturor, por edhe vlerat e saj evropiane ku çdo dallim mëkohet. Kjo s’ndodh vetëm se rruga jonë është trasuar drejt Evropës, por sepse historia jonë është plot me shembuj ku është jetuar me vlera të tilla. Është njësoj nëse flasim për manifestin e Krushevës apo për konceptin - një shoqëri për të gjithë.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Nëse gjuha i bashkon shqiptarët si komb, pavarësisht përkatësive fetare, Maqedonia i Veriut i bashkon qytetarët e saj pavarësisht përkatësisë etnike, tha kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. Sipas tij, mirëkuptimi dhe kohezioni ndëretnik në periudha të ndryshme duhet të jetë model edhe për të ardhmen.
“Këto ngjarje, siç është Manastiri, siç është Krusheva, duhet të na shërbejnë për synimet tona, qëllimet tona, misionet tona, për një Maqedoni më të fortë, më të qëndrueshme me standarde evropiane, ashtu siç jemi në NATO, jemi edhe në BE.”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Në Akademinë Solemne të organizuar nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive u promovua edhe kënga “Kongresi i Manastirit” nga Ilir Shaqiri.
SHPËTIM NUREDINI
