Maqedoni
Kovaçevski: Rruga evropiane nuk i takon një partie
22.11.2022 17:12
Shumica prej dy të tretave të votave për ndryshimin e Kushtetutës nuk i duhet ekskluzivisht Qeverisë dhe Kuvendit...

Shumica prej dy të tretave të votave për ndryshimin e Kushtetutës nuk i duhet ekskluzivisht Qeverisë dhe Kuvendit, ka deklaruar kryeministri, Dimitar Kovaçevski. I pyetur a do të mbahen zgjedhje të parakohshme nëse nuk do të sigurohen dy të tretat e votave, Kovaçevski tha se ky proces është gjithëpërfshirës pasi duhet të sigurojë të ardhmen evropiane të vendit.
“Shumica e dyfishtë në Kuvend për ndryshime kushtetuese dhe vazhdimi i rrugës europiane të shtetit nuk është kërkesë për nevojat kryekëput të Kuvendit apo Qeverisë, ky nuk është proces i vetëm një partie politike, është proces për të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend të cilat duhet t’i sigurojnë ardhmëri europiane shtetit.”,- tha kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
Duke folur për zgjerimin e koalicionit qeverisës dhe përfshirjen e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, Kovaçevski theksoi se dera e qeverisë është e hapur. Sipas tij, deri më tani me këtë parti nuk është biseduar për ndarjen e resorëve.
Ndryshimet kushtetuese, Ahmeti: Proces madhor për shtetin
Edhe për kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, ndryshimet kushtetuese janë proces madhor për shtetin, ku përveç konsensusit të përgjithshëm politik, kërkohet edhe konsensusi i nevojshëm etnik, andaj Ahmeti shton se po bisedohet me të gjitha partitë opozitare.
“Ky është një zhvillim që jemi duke biseduar me të gjitha partitë opozitare. është interes madhor i shtetit, në radhë të parë për konsensus etnik të arrihet, dhe që të kapim hapin e duhur drejt hapjes së kapitullit të parë anëtarësimin e vendit në BE. Kjo kërkon kohë dhe mirëkuptim prej të gjitha palëve.”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Sipas pushtetit në Kuvend, në periudhën që vjen duhet të merren edhe vendime të tjera, pasi rruga drejt BE-së kërkon shumë reforma.
MERITA GASHI
