Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Xhaferi: Më së voni në muajt e parë të 2023-shit
23.11.2022 13:00
Procedura për ndryshimin e Kushtetutës duhet të fillojë më së voni në muajt e parë të vitit të ardhshëm për të respektuar procedurën...

Procedura për ndryshimin e Kushtetutës duhet të fillojë më së voni në muajt e parë të vitit të ardhshëm për të respektuar procedurën dhe periudhën për futjen e amendamenteve kushtetuese. Kjo procedurë duhet të përfundojë deri në fund të skriningut, i cili është planifikuar për në nëntor të vitit 2023, tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. Se çfarë do të ndryshojë me amendamentet kushtetuese dhe nëse në Kushtetutë do të përfshihen vetëm bullgarët apo edhe pjesëtarët e bashkësive të tjera etnike, Xhaferi thotë se do të varet se çfarë do të përmbajë vendimi për ndryshimin e Kushtetutës kur do të dorëzohet në Kuvend. Për momentin janë paraqitur vetëm mendime për çështje të tjera që mund të jenë bazë edhe për ndryshime të tjera kushtetuese. Gjithçka varet, thotë Xhaferi, se çfarë do të përmbajë vendimi për fillimin e procedurës për ndryshimin e Kushtetutës.
Sipas Xhaferit, deri në mes të dhjetorit nuk janë planifikuar seanca të tjera deri kur duhet të përfundojë procedura për miratimin e buxhetit për vitin 2023 për të cilin janë dorëzuar 263 amendamente, por nëse ka nevojë, mund të konvokohet seancë urgjente.
Ndryshe, deri në fund të vitit, kryetari i Kuvendit planifikon edhe një tjetër takim në kuadër të procesit “Jean Monnet”. Materialet nga mbledhja e kaluar tashmë i janë dërguar grupeve parlamentare. Ai nuk pret që VMRO-DPMNE të bojkotojë procesin. Drafti i Rregullores së Kuvendit do t'u dërgohet të gjitha grupeve parlamentare për koordinim thotë Xhaferi.
NAIM RAMADANI
