Botë
1 vit nga fatkeqësia në Bullgari, familjarët: Ende presim që rasti të zbardhet
23.11.2022 14:47
Përvjetori i fatkeqësisë së autobusit “Besa Trans” në Bullgari, ku humbën jetën 45 persona...

Përvjetori i fatkeqësisë së autobusit “Besa Trans” në Bullgari, ku humbën jetën 45 persona, në kujtesën e familjarëve do të mbetet dita më e kobshme e jetës së tyre. TVM2 qëndroi në Studeniçan tek familjarët e viktimave, të cilët një vit pas tragjedisë thanë se dhimbja nuk u është shuar, përkundrazi. Shtëpitë u kanë mbetur të zbrazëta, pa më të dashurit e tyre, por edhe më shumë i shqetëson fakti që ky rast ende nuk është zbardhur.
“Kam humbur djalin e xhaxhait, gruan e tij, vajzën e saj 14 vjeç, djali i xhaxhait 60 vjeçar me gruan e tij, shumë rëndë po ndjehem. Asgjë nuk ka, të gjithë fajin ia lënë njëri-tjetrit, duhet të gjendet fajtori. Duhet ketë rast me urgjencë ta sqarojnë, 45 vetë kanë humbur dhe ende nuk ka asgjë. Duhet të ketë diçka.”,- deklaroi Izeir Iseni - familjar Izair Iseni.
“Unë nusen e vëllait dhe vajzën e saj e kam humbur, e ndjej një dhimbje shumë të madhe, nuk mund të gjej fjalë për ta përshkruar. Gruan e kam pasur në mjek duke kujtuar njëvjetorin. Dhashtë Zoti që askush të mos sprovohet me këtë fatkeqësi. Duhet të vazhdojnë hetimet, patjetër të ketë ndonjë faktor, se viktimat nuk kthehen, por në të ardhmen të mos përsëritet kjo ngjarje që na ndodhi neve.”,- u shpreh familjari, Idriz Iseni.
“Ata njerëz humbën jetën dhe shteti nuk kujdeset për ta, por vetëm shëtiten nga gjykata poshtë-lartë pa asnjë, pa rezultat.”,- theksoi një banor.
Avokati i familjeve: Hetimet ngecin, mungon interesi nga autoritetet
Avokati i një pjese të familjarëve thotë se klientët e tij janë të diskriminuar nga të dyja shtetet, për ta ende nuk ka kompensim të dëmit dhe as përgjigje se pse rruga nuk është realizuar siç duhet.
“Një vit pas, hetimet në Maqedoni dhe Bullgari kanë stagnuar për shkak të mungesës së interesit nga të dyja palët. Nuk ka interes të zgjidhet rasti, e as të zbulohen arsyet se pse rruga nuk ka qenë ashtu si duhet.”,- deklaroi avokati, Nikollaj Dimitrov.
Prokuroria bullgare ka konstatuar se shkaku për fatkeqësinë e autobusit të “Besa Transit” ishte gabim njerëzor. Është kërkuar edhe ekspertizë për cilësinë e të gjitha rrugëve në Bullgari, por pavarësisht gjetjeve, prokuroria atje nuk ndryshon tezën e mëparshme se faji është i shoferit.
FLUTURA LATIFI
