Maqedoni
Kursimi i energjisë, Andonov: Institucionet kursejnë, reflektim nga qytetarët
23.11.2022 15:18
Institucionet shtetërore kanë arritur të kursejnë 24% energji elektrike në shtator, thonë nga Qeveria...

Institucionet shtetërore kanë arritur të kursejnë 24% energji elektrike në shtator, thonë nga Qeveria. Sipas tyre, ky trend është në rritje në tetor, por presin që edhe qytetarët të kursejnë më shumë.
“Vetëm Qeveria ka kursyer 32 për qind të energjisë elektrike. Trendi i kursimeve është në rritje e sipër, në muajin tetor, në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, kursimet kanë arritur në 27 për qind... Në kohë krize dhe në mungesë të energjisë elektrike institucionet kanë treguar vetëdije të lartë, duke kursyer rrymë, por kjo duhet të reflekton edhe tek qytetarët.”,- tha këshilltari për energjetikë në kabinetin e kryeministrit, Viktor Andonov.
Kriza energjetike, Andonov: Gjenda me resurset prodhuese është stabile
Andonov siguron se gjendja me resurset prodhuese është stabile.
“Gjenda me resurset prodhuese të energjisë elektrike është stabile. TEC - Manastir së shpejti do të futet në funksion dhe riparimet janë në fazën përfundimtare, ndërsa shteti ka siguruar rreth 20.000 ton mazut, apo TEC-Manastiri me këtë sasi mund të punojë pa ndërprerë 20 ditë.”,- u shpreh këshilltari për energjetikë në kabinetin e kryeministrit, Viktor Andonov.
Një ditë më parë, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, pohoi se TEC - Manastiri nuk do të startojë me punë sepse çmimi i energjisë elektrike të blerë është më i lirë sesa ai prodhues. Këtë e konfirmoi edhe Andonov që sqaron se pikërisht për këtë qëllim u vendos që riparimet të bëhen në këtë periudhë.
FITIM KRYEZIU
