Kompensimi për aftësinë e kufizuar, Avokati i Popullit kërkon ndryshime ligjore
Avokati i Popullit konstaton vështirësi...

Avokati i Popullit konstaton vështirësi në realizimin e së drejtës së kompensimit për shkak të aftësisë së kufizuar. Ligji aktual nuk iu mundëson këtyre qytetarëve qasje tek e drejta e kompensimit për aftësinë e kufizuar, nëse për të njëjtën për herë të parë aplikojnë pas moshës 65 vjeçare.
Në të gjitha 30 qendrat rajonale, në periudhën 2020/21 janë parashtruar 7293 kërkesa nga persona të moshës prej 26 deri 65 vjeç, prej të cilave përgjigje pozitive kanë marrë 97,92%.
Megjithatë, në 10 qendra për punë sociale janë evidentuar 23 kërkesa të refuzuara si shkak i mbushjes së moshës 65 vjeçare. Avokati i Popullit vlerson se dispozita aktuale ligjore është kufizuese dhe krijon mundësi për trajtim jo të barabartë të qytetarëve, prandaj kërkon ndryshim në Ligjin për Mbrojte Sociale, pa kushtin përkufizues: “Më së voni deri në moshën 65 vjeç”.
“Nëqoftëse qytetari e shfrytëzon këtë të drejtë para kësaj moshe, e njejta vazhdon derisa të jetë gjallë. Por, qytetari i cili ka këtë moshë, pra 65 vjet e sipër dhe zakonisht në atë moshë paraqiten këto probleme, siç është demencia, të pamurit etj, pikërisht kjo kategori pamundësohet që të bëjë kërkesë dhe ta shfrytëzojë kompenzimin material. Prandaj mendoj se në Gjykatën Kushtetuese do të shfuqizohet kjo dispozitë ligjore, sepse bën diskriminim mbi bazë të moshës së qytetarëve.”,- tha avokati i popullit, Naser Zyberi.
Zyberi rikujton se të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjeve. Përkufizimi për shkak të moshës i së drejtës së kompensimit për shkak të aftësive të kufizuara, krijon dallime dhe pamundëson inkurajimin, përfëshirjen sociale dhe mundësitë e barabarta të personave me aftësi të kufizuara, konstaton Avokati i Popullit.
