Botë

Kurti: Dialogu ka hyrë në fazë më të avancuar. U dakorduam pasi Borrell ndryshoi deklaratën

24.11.2022 14:27

Me dakordimin për targat, procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka hyrë në fazë më të avancuar...

Me dakordimin për targat, procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka hyrë në fazë më të avancuar, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
 
Ai ka theksuar se qëllimi i Kosovës ishte që propozimi franko-gjerman të bëhet çështje e bisedimeve në Bruksel. Kurti njëherit ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për marrëveshje për targat por për dakordim, që ka ardhur pas ndryshimit të deklaratës së Borrell.
 
“Ata që thonë që ajo nuk është pranuar të hënën, është pranuar të mërkurën, nuk e dinë për çfarë po flasin. Është dy fish tekst më i madh ky i mbrëmshmi. Dhe nuk është marrëveshje, është një dakordim por nuk është marrëveshje a e dini pse? Shikojeni çka thotë në titull. Është deklaratë e Borrellit. Ajo çfarë është bërë mbrëmë, është ndryshuar deklarata e Borrellit, ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borrelli ka ndryshuar deklaratë dhe kjo është shumë mirë.”- deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Bazuar në marrëveshje, Kurti ka thënë se targat ilegale do të largohen gradualisht. Duke njoftuar dakordimin për targat kryediplomati evropian, Josep Borell, paralajmëroi se në ditët në vijim do t’i ftojë liderët e të dyja shteteve në Bruksel për të diskutuar për “Propozimin e Brukselit”. 
 
Ndërkohë, presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për targat, është një fitore e vogël taktike “që do të na çojë në presion edhe më të madh”. Ai ka thënë se Parlamenti Evropian po të mërkurën miratoi një rekomandim, përmes së cilës i kërkohet Serbisë ta njohë pavarësinë e Kosovës.                                                                                                          
“Rekomandimet e Parlamentit Evropian thonë se ne duhet ta njohim pavarësinë e Kosovës, por ata e fshehën. Ata po kërkojnë nga ne njohje reciproke. Ne nuk jemi të interesuar për njohje reciproke.”,- theksoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.                 
                                                                                   
Këto komente kreu i shtetit serb i  bëri pas takimit që pati me anëtarin serbe të Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zheljko Cvijanoviq, dhe presidentin e Republikës Sërpska, Milorad Dodik, të cilët siç tha Vuçiq i ka njoftuar për bisedimet në Bruksel dhe situatën në Kosovë.
 
GYLTENE SINANI