Maqedoni

Nga 1 dhjetori, shkollat dhe kompanitë me rrymë më të lirë

24.11.2022 15:24

Nga 1 dhjetori, 233 shkolla fillore dhe të mesme, 50 ujësjellës dhe 235 kompani nga industria ushqimore...

Nga 1 dhjetori, 233 shkolla fillore dhe të mesme, 50 ujësjellës dhe 235 kompani nga industria ushqimore do të marrin energji elektrike të subvencionuar. Shkollat dhe ndërmarrjet do të paguajnë rrymën me çmimin 95 euro për megavat orë, ndërsa kompanitë që prodhojnë ushqime do të paguajnë 80 euro.
 
“Ndikimi përfundimtar i kësaj mase do të jetë stabilizimi dhe ulja e çmimeve të produkteve finale, të cilat veç më po ulen në disa prej industrive. Me këtë vendim u përfshin edhe shkollat fillore dhe të mesme që të kenë furnizim të sigurt dhe të pandërprerë me energji elektrike.”,- tha kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
 
Ministri i ekonomisë Bekteshi pret që çmimet të ulen për së paku 10%. Paralajmëroi kontrolle të rrepta.  
 
“Për shkak se te numri më i madh i këtyre produkteve zbatohet masa për marzhë të kufizuar, Inspektorati Shtetëror i Tregut do të bëjë në vazhdimësi kontrolle te tregtarët me shumicë dhe pakicë për respektim të masës gjatë caktimit të çmimeve. Kontrolle shtesë do të ketë nga 1 dhjetori i këtij viti.”,- u shpreh ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Edhe pse sipas drejtorit të EMV-së  kapacitetet energjetike vendase sigurojnë konsumin e energjisë elektrike, shteti ende blen një sasi të caktuar të energjisë elektrike dhe planifikon të blejë edhe në muajin e ardhshëm.
 
“Prokurimet që u zbatuan në muajin nëntor nga 72 mijë megavat në orë sa ishte planifikuar janë prokuruar 82 mijë e 150 dhe numri i përgjithshëm i të gjitha prokurimeve është 19.6 milion euro.”,- theksoi drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski.
 
Nga Qeveria thonë se deri në fund të këtij muaji do të miratohet një plan aksional për masa shtesë në mbështetje të qytetarëve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe mikro që punësojnë më shumë njerëz dhe janë konsumatorë më të vegjël të energjisë elektrike.
 
ERSAN PAJAZITI