Maqedoni
Rasti Onishçenko, Kovaçevski: ASK për 20 ditë me drejtor të ri
24.11.2022 15:46
Drejtori i ASK-së, Viktor Dimovski, do të shkarkohet nga detyra për 20 ditë...

Këtë e kumtoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski, pas mbledhjes së mbyllur një ditë më parë në qeveri, ku Dimovski tregoi versionin e vet se si Onishçenko u pajis me shtetësi maqedonase, e cila me urdhër të qeverisë do t’i merret shtetasit kontrovers ukrainas. Vendimi bazohet në nenin 14 të Ligjit për shtetësi, për dorëzim të dokumenteve të rrejshme gjatë aplikimit.
“Qeveria solli vendim për nisjen e aktiviteteve për marrjen e shtetësisë. Informacione shtesë nga seanca e mbyllur e qeverisë nuk mund të thuhen, pasi kjo është një vepër e rëndë ndëshkuese me privim nga liria prej 1 deri në 5 vite. Gjitha informacionet në pjesën e hetimeve në ASK do të ndahen publikisht sipas procedurave dhe ligjeve. Sa i takon menaxhimit me ASK-në, për 20 ditë duke filluar nga sot, do të ketë drejtor të ri të ASK-së.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Kovaçevski mohoi të përgjigjet se çfarë dokumenti të rrejshëm ka dorëzuar Onishçenko për t’u pajisur me shtetësi.
Milloshovski: Oligarku ukrainas, lidhje me Zaevin
Deputeti Antonio Milloshovski pyeti kryeministrin se a ka pasur njohuri për rastin Onishçenko nga ardhja e tij në krye të ekzekutivit. Milloshovski tha se lidhja e Onishçenkos me qeverinë ka nisur nga qeverisja e Zaevit.
“Nëse Viktor Dimovski nuk i ka treguar kryeministrit Kovaçevski nga janari deri në maj se një spiun I tillë rus dhe oligark ukrainas në listën e zezë të SHBA-së ka dorëzuar kërkesë për shtetësi maqedonase, atëherë Kovaçevski kot që është kryeministër. Onishçenko ka vendosur lidhje që nga koha kur Zaev ishte kryeministër që të sjell gaz në Maqedoni, sporti me kuaj është vetëm fasadë. Ai ka angazhuar shtëpi avokatie që të regjistrojë ndërmarje për tregti me gaz. Këtë e din Kovaçevski, por s’ka guxuar të flasë dhe vendos ndryshe nga ajo që Zaev i ka thënë Viktor Dimovskit.”,- theksoi deputeti i VMRO–DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
Kryeministri u kundërpërgjigj me të njëjtën retorikë se bëhet fjalë për seancë të mbyllur të qeverisë për të cilën nuk jepen detaje. Edhe vetë Onishçenko është shprehur i habitur përse i merret shtetësia, pasi sipas tij, ai gjatë aplikimit ka dorëzuar dokumente valide, pasaportën ruse dhe certifikatën e lindjes, për të përfaqësuar vendin në lojërat olimpike.
MERAL ISMAILI
