RMV anëtare e Unionit të Mesdheut, Osmani: Sukses i politikës së jashtme

24.11.2022 16:30

Maqedonia e Veriut i bashkohet unionit të Mesdheut....

Maqedonia e Veriut i bashkohet unionit të Mesdheut, organizatë që përfshin të gjitha vendet anëtare të BE-së si dhe vendet mesdhetare.

Ministri i jashtëm, Bujar Osmani, e ka quajtur sukses të lobit diplomatik anëtarësimin e vendit në këtë organizatë.

Pjesëmarrja jonë në Unionin për Mesdheun, si platformë për bashkëpunim dhe dialog rajonal, do të na mundësojë rrjetëzim më të ngushtë për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, ka thënë Osmani.

“Është ky edhe një sukses i diplomacisë së vendit, i cili vitin e kaluar arriti që të lobojë anëtarësimin e RMV-së në këtë union, që është në një mënyrë prezencë e Maqedonisë së Veriut në forume të rëndësishme rajonale dhe multilaterale. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Unionin e Mesdheut, do të mundësojë jo vetëm ndërlidhje me shtetet të cilët mbulojnë rreth 700 milion banorë,  por natyrisht edhe integrim në strukturat e BE-së, të cilat mbulojnë Mesdheun.”,- tha ministri i jashtëm, Bujar Osmani.

Në fokus të takimit me Ministrin e Jashtëm të Portugalisë, Zhao Gomes Kravinjo, Osmani ka biseduar për bashkëpunimin mes dy vendeve në fusha të ndryshme, kryesimin me OSBE-në vitin e ardhshëm, për sigurinë në Evropë dhe situatën në Ukrainë. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)