Fatkeqësia në Llaskarcë, familjarët e revoltuar, mungon super-ekspertiza

24.11.2022 17:55

Për shkak të mungesës së super-ekspertizës....

Për shkak të mungesës së super-ekspertizës të kërkuar para 1 viti nga Trupit Gjykues, Procesi Gjyqësor për rastin e fatkeqësisë së autobusit në Llaskarcë, akoma nuk po merr epilog përfundimtar.

Familjarët e viktimave shprehen të dëshpëruar dhe akuzojnë gjykatën për zvarritje të procesit gjyqësor. Familjarët shprehin dyshime se kjo super-ekspertizë është bërë me qëllim të ndikimeve të mundshme në procedurë.

“Super-ekspertizën që duhej ta bënte Byroja për Ekspertizë Gjyqësore edhe pas një viti nuk ka lëvizur asgjë nga vendi. Kjo që po ndodh është turp për gjyqësorin, turp për gjykatësin i cili udhëheq me lëndën, turp për Byronë për Ekspertizë Gjyqësor. Më herët Fakulteti i Makinerisë, të njëjtën super-ekspertizë e bëri për vetëm 6 javë, nuk e di edhe sa kohë duhet të presim që kjo procedurë të përfundojë përfundimisht.”,- tha familjari i njërit nga viktimat, Bllagojçe Trpevski.

“Deri sot duhej të kishte aktgjykim dhe jo të lihej hapësirë për dyshime. Nuk dua të besoj se në prapavi të të gjithë kësaj ka presione, ndikime politike dhe mos dashtë Zoti edhe korrupsion, megjithatë këtë shumë shpesh po e dëgjojmë.”,- theksoi familjari i njërit nga viktimat, Sinisha Ristovski.

Ndërkohë, nga Gjykata Penale theksojnë se ata nuk mund të vazhdojnë procedurën gjyqësore, përderisa mungon superkespertiza. Njoftojnë se gjykata 9 herë ka kërkuar që kjo ekspertizë të realizohet më shpejtë.

"Publiku, por edhe viktimat e rastit, duhet të dinë se gjykata deri më tani ka paraqitur 9 kërkesa urgjente në Byronë e Ekspertizës Mjeko-Ligjore për realizimin në kohë të super-ekspertizës, e cila është e nevojshme për përfundimin e procedurës së provave, fjalëve përfundimtare dhe miratimin e vendimit. Gjykata ka njoftuar Këshillin Gjyqësor të RMV-së për të gjitha emergjencat, por edhe për zvarritjen e një viti të tërë, ndërsa në aktivitetin e fundit promovues në gjykatë, për rastin është njoftuar dhe ka dhënë mendimin e tij edhe ministri i Drejtësisë.",- thuhet në kumtesën e Gjykatës Penale.

TVM2 kontaktoi edhe njërin nga ekspertët e mjekësisë ligjore, Damjan Mirçevskin, për të pyetur se deri ku është procedura.

"Më 29 nëntor është caktuar data për kryerjen e ekspertizës së autobusit, pasojnë konkluzionet dhe vendimi final i ekspertizës.",- tha Mirçevski.

ASh: Rasti po zvarritet, duhet të ketë epilog të shpejtë

Për situatën e krijuar ka reaguar edhe Aleanca për Shqiptarët, kërkesën për super ekspertizë për aksidentin në Llaskarcë e vlerëson si veprim për të zvarritur procedurën gjyqësore dhe për t’u mbrojtur të akuzuarit në këtë rast.

Nga kjo parti apeluan deri te organet e drejtësisë që ky rast të marrë epilog sa më shpejt, ndërkaq theksuan nevojën e vetingut në gjyqësor. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)