Pr. buxheti për 2023-shin, 4.6 miliardë euro, VMRO: Buxhet inflator, Qeveria rrit borxhin
Buxheti i Republikës për vitin 2023....

Buxheti i Republikës për vitin 2023 do të peshojë rreth 4.6 miliardë euro ndërkaq shpenzimet e përgjithshme projektohen në rreth 5.3 miliardë euro që rezulton se deficit buxhetor gjatë vitit 2023 do të jetë rreth 700 milionë euro.
Për këtë arsye opozita e kryesuar nga VMRO DPMNE këtë propozim buxhet e cilëson si inflator dhe akuzon koalicionin qeverisës që për pesë vjet ka dyfishuar borxhin publik.
“Nëse ky propozim buxhet miratohet, borxhi publik në fund të vitit tjetër do të jetë mbi 8.5 miliardë euro, ose, thuajse do të rritet dyfish. LSDM gënjen kur thotë se borxhi publik është i lartë për shkak të borxheve nga e kaluara. Po të ishte ashtu borxhi publik s’do të ndryshonte. Pasqyra reale është se LSDM në këtë mandat e ngarkoi RMV-në me borxh sa të gjitha qeveritë sëbashku që nga pavarësia deri më një qershor të vitit 2017.” - tha Ljupço Prenxhov, deputet i VMRO DPMNE-së.
Nikolloski: Çdo krizë ka çmimin e vet
Qeveria huamarrjen ia atribuon detyrimit për kthimin e borxheve të vjetra, pandemisë dhe krizës energjetike. Zv. ministri i financave, Filip Nikollovski, sqaron se në këto tre vjet janë kthyer borxhe mbi një miliardë euro, ndërkaq gjatë vitit 2023 do të duhet të khtehet një borxh i vitit 2016, rreth gjysëm miliardë euro.
“Sa i përket deficitit për vitin e ardhshëm, kemi paraparë 250 milionë euro për masat antikrizë; 250 milionë euro janë paraparë për Korridorin 8 dhe Korridorin 10D, dhe s’duhet harruar se një pjesë e madhe e deficitit, 220 milionë euro, janë kamata që duhet të paguhen për borxhet e vjetra. Borxhet janë krijaur edhe nga qeveritë e kaluara edhe nga Qeveria aktuale, konformë krizave. Çdo krizë ka çmimin e vet.” - u shpreh Filip Nikolloski, zv. ministër i financave.
Buxheti i propozuar për vitin 2023 ka katër objektiva kryesore: përballjen me pasojat e krizës energjetike dhe rritjes së inflacionit; vazhdimi i konsolidimit fiskal dhe forcimi i qëndrueshmërisë fiskale; sigurimi i kushteve për rimëkëmbjen ekonomike dhe rritje të qëndrueshme ekonomike, financim pa pengesa të funksioneve bazë të shtetit dhe mbështetje për reformat në jurisprudencë dhe integrimet euroatlantike. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
