Shkup, transportuesit privat në protestë para NTP-së
Transportuesit privatë kanë protestuar para selisë....

Transportuesit privatë kanë protestuar para selisë së Ndërmarrjes së Transportit Publik teksa kanë kërkuar nga drejtori i kësaj ndërmarrje shpjegim për borxhin e papaguar, i cili, siç thonë ata, nga nëntori do të jetë rreth dy milionë euro.
Jemi njerëz të ndershëm, kemi investuar në çdo gjë që kemi dhe paguajmë rregullisht taksat, thonë ata.
Ata janë të revoltuar pas deklarimeve të, kryetares së qytetit Danela Arsovska, për gjoja shitje të biletave pa kupona fiskal.
“Ne kemi punuar që nga 1 janari i vitit 2017 me karta elektronike. Nuk quhen kot kartela elektronike, kështu që në vitin e parë qytetarët e Shkupit upajisën me karta që mund të rimbushen. Pajisjet që kemi në autobusët tanë nuk na lejojnë që ne të mbushim kartat” – tha Hisen Halili, transportues privat.
“Këto janë gënjeshtra të ndyra, turp për të, si mundet që një person që është në krye të një institucioni, kryetar i qytetit të Shkupit, t'i gënjejë pa shpirt qytetarët” – deklaroi Kemal Muriq, transportues privat.
Megjithatë transportuesit privatë janë takuar me koordinatorët e grupeve të këshilltarëve në qytetin e Shkupit, por ata thonë se nuk do të vozisin derisa nuk u shlyhet borxhi.
“Para tyre paraqiten fakte dhe dokumente, nga të cilat ata mundën të shohin drejtpërdrejt se si është situata reale për dallim nga ajo që thuhet në publik” – theksoi Lenin Jovanovski nga “Sloboda Prevoz”.
“Ne si këshill nuk kemi kompetencë ta zgjidhim këtë mosmarrëveshje. I dëgjuam, disa koordinatorë të grupeve të këshilltarëve njoftuan se në seancën e së hënës do t'i bëjnë pyetje kryetares Arsovska dhe shërbimeve të qytetit të Shkupit, për të dëgjuar edhe palën tjetër” – u shpreh Kryetari i Këshillit të Qytetit të Shkupit, Trajko Slavevski.
Nëse do të vazhdojnë me protestën transportuesit privatë njoftuan se do të vendosin rishtazi. (Naim Ramadani, TVM2)
