Maqedoni
Gjuha “moderne” e të rinjve, Studentët: Trend që vështirë evitohet
27.11.2022 13:27
Gjuha dhe shprehjet moderne të cilat i përdorin të rinjtë gjatë komunikimit të përditshëm dhe në rrjetet sociale...

Gjuha dhe shprehjet moderne të cilat i përdorin të rinjtë gjatë komunikimit të përditshëm dhe në rrjetet sociale, janë krejtësisht jashtë të folurit apo të shkruarit të shqipes standarde. Shprehjet-OK, like, live, delete, nice, gjithnjë e më shumë po zënë vend në komunikimin e përditshëm të të rinjve dhe jo vetëm gjatë komunikimit në mediat sociale por dhe gjatë komunikimit institucional. Edhe pse të vetëdijshëm se kjo i dëmton në përdorimin e gjuhës së standardizuar, studentët e anketuar nga TVM2 thonë se përdorimi i shprehjeve të huaja është gjuha moderne për ta, është trend andaj vështirë mund të evitohet.
“Ne shqiptarët përdorim edhe sllavizma pasiqë jetojmë me sllavët, mirëpo do të ishte mirë që ti largojmë ato, të mos i përdorim si psh fjalën ok, mund të themi në rregull shum e thjeshtë.”, u shpreh një studente.
“Më shum like ose koment share të cilat na nevoiten në komunikimin e përditshëm sepse në ndonjë postim do të na duhet më shumë pëlqime apo ndonjë postim të shpërndahet. Të evitohet është më velshtirë sepse prej në fëmijëri rritemi me gjuhën angleze dhe pastaj evitimi i tyre është pothuajse i pamundur.”, tha një student.
Depërtimi i fjalëve të huaja, ekonomizimi i gjuhës është proces i natyrshëm në cilën do gjuhë, por duhet të bëhet kujdes që sa më tepër gjuha të kontrollohet e pastrohet thonë ekspertët e fushës. Edhe pandemia e virusit Korona e ka bërë edhe më të pranishme teknologjinë, gjuhën informatike në mesin e nxënësve, duke bërë që ata të përdorin më shumë fjalë të huaja. Andaj duhet vëmendje institucionale dhe ndërgjegjësim gjuhësor.
Qamili: Gjuha e standardizuar është imperativ
Edhe profesoresha universitare e cila ligjëron lëndën e drejtshkrimit Ajtene Qamili, potencon se studentët duhet t’i shmangin shprehejet e huaja dhe të përdorin fjalët shqipe, për të treguar fillimisht kulturën e tyre gjuhësore.
“Natyrisht se duhet ti largojnë ato fjalë por jo vetëm në aspektin e fjalëve të huaja por edhe mënyrën se si shprehen, fjalitë edhe në apsektin sintaksor, shenjat e pikësimit në mënyrën e drejtshkrimit, për gjithçka duhet të kenë kujdes për të treguar kulturën e tyre gjuhësore.”, tha profesoresha universitare Ajtene Qamili.
Deri tek ndërgjegjësimi gjuhësor tek të rinjtë përveç kontributit dhe angazhimit institucional, të rinjtë duhet të përforcojnë leximin e beletristikës i cili pasuron fjalorin por dhe eviton gabimet gjatë komunikimit të përditshëm.
FLUTURA LATIFI
