Botë

110 vjetori i pavarsisë së Shqipërisë, kuvendi i Shqipërisë mirëpriti kuvendin e Kosovës

27.11.2022 16:25

27 nëntori do të mbahet mend si dita e mbledhjes së parë të dy kuvendeve që nga shpallja e pavarësisë....

27 nëntori do të mbahet mend si dita e mbledhjes së parë të dy kuvendeve që nga shpallja e pavarësisë. Kuvendi i Shqipërisë, mirëpriti atë të Kosovës, në vigjilje të 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
 
Deputetët nderuan dy himnet, fillimisht atë të Kosovës, e më pas të Shqipërisë, për t’i lënë rrugë mesazheve për të forcuar bashkëpunimin, duke mos harruar historinë.
 
“Dy emra dua të sjell, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe UÇK, këto të dyja lidhen me Ibrahim Rugovën, një i munguar i madh sot, pasi u nda nga jeta dhe tjetri është Hashim Thaçi, i cili është i munguar përkohësisht me një mision që vazhdon.”, tha kryeministri i Shqipërisë. Edi Rama
 
“Ndarjet krahinore, bajraktarizmat ishin pengesë e prapambetje atëherë, edhe sot ashtu janë. Duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit jo për të penguar, por për të ndihmuar. Hapësira jonë publike, politika, kultura, ekonomia, nuk janë çifligje me tapi, por e përbashkëta kalaja kur të gjithë vëmë nga një gur. Na duhet të jemi më shpesh bashkë, jo vetëm në kremte.”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Dy krerët e Kuvendeve, Lindita Nikolla dhe Glauk Konjufcën kërkuan që kufijtë të shndërrohen në barriera formale.
 
“Dikur edhe si ëndërr nuk na shfaqej ky moment nga pengesat e historisë. Shqiptarët e gjetën shekullin e tyre ngado ku ata u nisën. Asnjëherë nuk i ikën privilegjit dhe nderit që i dha emri shqiptar.” tha kryetarja e Kuvendit të Shipërisë, Lindita Nikolla.
 
“I vetmi shtet ne mes të Evropës i lidhur me Rusinë është Serbia, na lufton nga brenda e jashtë, që nga diplomacia deri te financimi i grupeve kriminale. Sa më afër njëra tjetrës Shqipëria e Kosova aq më lehtë mund të mbrojmë interesat e kombit tonë,”, tha kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca.
 
I vetmi i pakënaqur ishte Sali Berisha, i cili braktisi momentin historik duke e quajtur Edi Ramën vëlla të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
 
“Rama është i njohur botërisht si avokati më i shpifur i padronit të tij Aleksander Vuçiç, që në vend se të bëj avokatinë e Kosovës, kalon nga samiti në samit për të mbrojtur Beogradin. Rama i ka futur thika pas shpine Kosovës, përfshirë skenare për ta ndarë së bashku me mikun e tij Vuçiç.”, tha kryetari i PD-së, Sali Berisha.
 
Kreu i Grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha se një përfaqësi nesër do të mbërrijë në Hagë, për t’u uruar nga afër pavarësinë drejtuesve të UÇK. 
 
LULJETA NDOKA