Botë

Dua Lipa merr shtetësinë shqiptare

27.11.2022 17:21

Një ditë para koncertit në sheshin Skënderbej, këngëtarja me famë botërore Dua Lipa ka marrë nështetësinë shqiptare....

Një ditë para koncertit në sheshin Skënderbej, këngëtarja me famë botërore Dua Lipa ka marrë nështetësinë shqiptare. Kreu i shtetit Bajram Begaj tha se Dua është një shembull frymëzimi për të gjithë rininë, ndërsa kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj e quajti ambasadore të vendit tonë në botë.
 
“Është kënaqësi e veçantë që sot presim artisten e madhe Dua Lipa. Them artiste e madhe, por ajo është edhe një vajzë e thjeshtë, që krenarinë më të madhe na e ka dhënë ne, Shqipërisë, Kosovës dhe kudo ku ka shqiptarë nëpër botë. Rinia shqiptare ju ka shembull dhe ju keni treguar se ëndrrat arrihen duke punuar gjithnjë e më shumë.”, tha presidenti i Shqiprisë Bajram Begaj.
 
“Të uroj shumë sukses edhe si shtetase e Republikës së Shqipërisë! Mezi presim sukseset e tua dhe të falenderoj që ke mbetur e thjeshtë, sepse e ke kthyer kokën pas, për të kuptuar se sado larg shkon, rrënjët e tua janë këtu, dashurinë e madhe për Shqipërinë e Kosovën nuk e ke fshehur kurrë. Të jam shumë, shumë mirënjohës që pranove të jesh me ne për këto festa.”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
 
Për yllin e muzikës botërore, Dua Lipa ky është një moment gëzimi i papërshkrueshëm.
 
“Faleminderit shumë! Është një gëzim i papërshkrueshëm dhe një nder shumë i madh. Jam shumë e emocionuar nga mikpritja, dashuria, mbështetja. Mezi pres koncertin e nesërm.”, pohoi Dua Lipa.
 
Këngëtarja shqiptare me famë botërore do të performojë në Tiranë nesër, për festën e pavarësisë, në një koncert ku hyrja do të jetë falas.
 
LULJETA NDOKA