Kryeparlamentari Xhaferi uron festën e Flamurit

28.11.2022 13:33

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi....

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi,  dërgoi urime të përzemërta me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.

“Pa dyshim se kjo festë e rëndësishme është thellë e ngulitur në memorien historike kolektive kombëtare dhe në zemrat e të gjithë pjesëtarëve të popullit shqiptar, kudo që të gjinden të shpërndarë anembanë botës dhe sot, kur shënojmë 110 vjetorin prej ditës kur diplomati i shquar Ismail Qemali, bashkë me delegatë nga qytetet e ndryshme shqiptare e ngriti flamurin kombëtar në Vlorë, shqiptarët, me ndjenjë krenarie kombëtare e nderojnë si simbol të rilindjes kulturore kombëtare të shqiptarëve.

Përcaktimi ynë i përbashkët shtetëror dhe rajonal për integrim evropian është udhërrëfyesi i vetëm i cili na motivon të punojmë me përkushtim dhe në mënyrë të palodhshme për tu bërë sa më shpejtë pjesë e familjes së madhe evropiane.

Atje, bashkë, me vlera dhe standarde të njëjta do të kontribuojmë për një botë më të mirë për gjeneratat e ardhshme. Jetojmë në kohëra sfidash në çdo aspekt dhe vetëm bashkimi e përbën forcën e vërtetë e cila mund të tejkalojë çdo pengesë. Ndërsa shqiptarët, bashkë me të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë guri i konsolidimit të kësaj force”, shton Xhaferi në urim.