Protestë për pagat e prapambetura, autobusët privat bllokojnë rrugët e Shkupit

28.11.2022 14:53

Në shenjë proteste ndaj politikave të Qytetit të Shkupit....

Në shenjë proteste ndaj politikave të Qytetit të Shkupit, udhëkryqi që gjendet te Qendra Tregtare “Mavrovasja” është i bllokuar me autobusët e kompanive private. “Sloboda prevoz” paralajmëroi që 30 autobus të kësaj kompanie dhe 300 qytetarë do të bllokojnë një nga pozitat më të qarkullueshme në kryeqytet.

Drejtuesit e kompanive private të transportit nuk ishin prezent në protest, por ata zgjodhën të lënë aty autobusët në shenjë proteste.

Ata që vuajnë më tepër këtë kaos janë qytetarët e thjeshtë.

“Unë erdha deri te ura me autobusin numër 7, zbrita aty. Unë u nisa në këmbë sepse autobusët privat nuk vinë dhe e pash që vjen një autobus tjetër dhe hipa në të. Nuk jam ndalur në vendin ku duhet, por do eci përsëri në këmbë. Kishte shume rrëmujë në autobus”.

“Kishtë rrëmujë, tani sa do të zgjasë e gjithë kjo dhe si do të rrjedhin gjërat unë nuk e di. Uroj që sa më shpejt të rregullohet e gjitha, sepse e pësojmë në qytetarët e thjeshtë”.

“Unë erdha nga Qendra e qytetit me autobus, kishte shumë rrëmujë” – thanë disa nga qytetarët e intervistuar nga TVM2.

Operatorët e linjës së transportit kërkojnë plotësimin e kushteve nga ana e Kompanisë së Transportit Publik të Shkupit.

Ata thonë se do të vazhdojnë protestën derisa të marrin zgjidhje nga Kompania Publike e Transportit.

Kompania publike e transportit nuk i ka paguar transportuesit privatë prej disa muajsh. Borxhi është afro 980 mijë euro, për muajt gusht, shtator dhe tetor që pronarët e linjave private nuk kanë marrë nga operatori publik.

MPB-ja iu bëri thirrje qytetarëve që të përdorin transportin publik dhe t’iu binden urdhrave të policisë.

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska i akuzoi transportuesit privatë se i kanë ngarkuar biletat që nga viti 2017 dhe nuk i raportojnë paratë e biletave të shitura dhe çdo muaj i faturojnë 400.000 euro nga Kompania e Transportit Publik.

Nuk dihet ende se sa do zgjasë protesta me bllokim rrugësh e cila ka nisur prej orës 07:00 të mëngjesit të së hënës. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)