Maqedoni

Komisioni për financa dhe buxhet, vazhdon debati rreth propozim buxhetit

28.11.2022 15:35

Me qëndrime për dhe kundër, ka vazhduar debati mbi propozim buxhetin e vitit 2023 në komisionin për financa dhe buxhet....

Me qëndrime për dhe kundër, ka vazhduar debati mbi propozim buxhetin e vitit 2023 në komisionin për financa dhe buxhet. Sipas VMRO-DPMNE-së opozitare, buxheti është jo real, me parametra të fryra, e cili do të sjell vetëm rritje të borxhit publik dhe inflacionit.
 
“Kjo Qeveri ka sukses vetëm në huamarrje dhe me këtë buxhet vitin e ardhshëm do të marrë 1.5 miliardë euro dhe borxhi publik do të arrijë tetë miliardë euro. Për të gjashtin vit radhazi, nga LSDM dhe BDI, dëgjojmë vetëm për rritje ekonomike, por sollën vetëm inflacion dhe standard katastrofik të jetës. Situata është tmerruese dhe sërish gjithçka do të bjerë mbi barrën e qytetarëve. Buxheti i propozuar është joreal për shkak të rritjes artificiale të të ardhurave dhe inflacionit që është rezultat i politikave të gabuara.”, tha Zhaklina Peshevska nga VMRO-DPMNE.
 
Nga ana tjetër nga partia në pushtet LSDM thonë se me këtë buxhet do të mundesohet rritje ekonomike dhe rimëkëmbje ekonomike nga kriza aktuale. 
 
“Në këtë kohë krize po bëhen përpjekje në bazë të gjendjes së finansave dhe potencialin qe ka shteti. Unë kisha dashur që potenciali të jet shumë më i madh, por për ekonominë ne mund të flasim deri nesër, por mjetet financiare të cilat mblidhen dhe shpërndahen janë pikërisht këto. Mencuria qëndron aty se si dhe në cfarë mënyre ato duhet të arrijnë deri te qytetarët. Mund ta shifni se të gjitha buxhetet prej më herët që nga pavarsimi e këtej, se nga 80 e deri 85 përqind nga i gjithë buxheti, thënë troç, është veçmë i realizuar.”, tha Dime Velkovski nga LSDM.
 
Të ardhurat e përgjithshme në propozim buxhetin e vitit 2023 janë planifikuar në nivel prej 282 miliard denarëve dhe janë më të larta për 14.8% në krahasim me vitin 2022, ndërsa shpenzimet janë në nivel prej 324.8 miliard denarë apo për 12.8% më të larta se viti 2022. Rritja ekonomike është projektuar në 2.9%, kurse inflacioni në 7.1%. Për propozim buxhetin janë dorëzuar mbi 250 amendamente.
 
BELINDA KOKA ADEMI