NATO forcon mbrojtjen në të gjithë Evropën

29.11.2022 12:04

Ministrat e Jashtëm të NATO-s....

Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të takohen për dy ditë me radhë në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, duke filluar nga dita e martë. Ata pritet të zotohen për mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën kundër agresionit rus.

Në një konferencë shtypi të hënën, pas një takimi me Presidentin e Rumanisë Klaus Iohannis, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg i kërkoi aleancës të rrisë mbështetjen e saj në rajon.

“Investimi në mbrojtjen tonë është thelbësor, pasi po përballemi me krizën më të madhe që i kanoset sigurisë në një brez“.

Stoltenberg përsëriti angazhimin e NATO-s për të miratuar kërkesat për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës, gjë që do të zgjeronte krahun lindor të NATO-s.

Ai tha se Rusia po përdor dimrin si armë, duke goditur infrastrukturën jetike të Ukrainës e duke lënë civilët pa energji e ngrohje.

“Ne nuk mund ta lëmë Putinin të fitojë. Ky do të ishte një sinjal për udhëheqësit autoritarë në mbarë botën se ata mund të arrijnë qëllimet e tyre duke përdorur forcën ushtarake, duke e bërë botën një vend më të rrezikshëm për të gjithë ne. Pra, është në interesin tona të sigurisë të mbështesim Ukrainën”, tha ai.

Takimi do të përfshijë bisedime për rritjen e asistencës duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe municionet dhe ndihmat jo-vdekjeprurëse si karburantet, furnizimet mjekësore dhe pajisjet dimërore.