Maqedoni

Dorëhiqet kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Crvenkovska

29.11.2022 13:44

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Pavlina Cërvenkovska, ka dorëzuar dorëheqje të parevokueshme nga pozita e saj....

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Pavlina Cërvenkovska, ka dorëzuar dorëheqje të parevokueshme nga pozita e saj. Vendimin ajo e ka bërë të ditur në fillim të seancës së sotme, e cila është vazhdimësi e javës së kaluar kur pati një rebelim të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. 
 
“Jap dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetares së Këshillit Gjyqësor”,- tha Cërvenkovska në fillim të seancës dhe u largua nga salla.
 
Pas paraqitjes së dorëheqjes, Cërvenkovska, përmes një kumtese ka theksuar se menjëherë pas zgjedhjes së saj në këtë funksion, ka filluar ndjekja mediatike me qëllimin përfundimtar, të japë dorëheqje pasi zgjedhja e saj si kryetare nuk korrespondonte me grupin e “elitës biznes-gjyqësore”.
 
“Deri më sot, ndjekja nuk është ndalur përmes shpërndarjes së informacionit të rremë për gazetarët, ndërsa në vazhdimësi janë penguar dhe me vetëdije janë zvarritur proceset e brendshme në Këshill, të cilat janë të një rëndësie kyçe për detyrat e kryera me sukses dhe për funksionimin e gjyqësorit. U bë për të ardhur keq që në vend që t’i përkushtoheshim aktiviteteve dhe reformave dhe përmirësimit të situatës në drejtësi, për dikë u bë më e rëndësishme se si të më sulmonte dhe si të dëmtonte projektet.”,- thuhet në njoftim.
 
Ajo shton se gazetarët kanë brifuar rrejshëm sa i përket vendimit të paligjshëm për të zgjedhur anëtarin e Këshillit Drejtues të Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, thotë se nuk ka propozuar dhe as votuar për anëtarin e Këshillit Gjyqësor, Zoran Gerasimoski. Dorëheqja e Cërvenkovskës vjen pas seancës së fundit të Këshillit Gjyqësor, kur pati rebelim të shtatë anëtarëve të zgjedhur nga gjyqtarët që penguan kalimin e listës së gatshme për votim për pozitat kyçe në Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI