Maqedoni

Menaxhimi i komunave, Mickoski: Kovaçevski si komedian, duke më ofenduar

29.11.2022 14:53

Akuza për vjedhje dhe gënjeshtra i adresoi qeverisë kryetari i VMRO–DPMNE–së, Hristijan Mickoski...

Akuza për vjedhje dhe gënjeshtra i adresoi qeverisë kryetari i VMRO–DPMNE–së, Hristijan Mickoski, si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të kreut të qeverisë Kovaçevski se kryetarët e komunave nga radhët e VMRO-së nuk kanë realizuar premtimet e dhëna. Mickoski siguron qeverinë për realizimin e projekteve të shumta nëpër komuna me fokus zgjidhjen sipas mundësive të problemeve të qytetarëve, por sipas tij, problematike paraqitet qeveria, sipas tij, e paaftë dhe kriminale, andaj edhe njëherë këmbënguli për zgjedhje të parakohshme.
 
“Populli po fundoset në mizeri, me vështirësi mbijeton muajin dhe brengoset se si do ta kalojë dimrin. Kemi katastrofën në arsim, ende nuk kemi libra, katastrofë në shëndetësi, krimi dhe korrupsioni janë në nivel të lartë. Përderisa Maqedonia ka shumë probleme, ai guximshëm vendos që si komedian të më ofendojë në paraqitjet e tij partiake. Ka forma se si këtë guxim ta manifestojë, duke shkuar në zgjedhje të parakohshme dhe populli të vlerësoj midis paraqitjeve të tij si komedian dhe realitetit të trishtë në Maqedoni.”,- deklaroi kryetari i VMRO–DPMNE–së, Hristijan Mickoski.
 
LSDM: VMRO-DPMNE pa vizion, synon izolimin
 
Nga LSDM me kundër-akuza se VMRO–DPMNE është parti pa vizion, duke marrë për shembull kaosin me transportin publik në Shkup.
 
“Mickoski një ditë thotë se mbështet integrimin e vendit në BE, ndërkaq ditën tjetër në kuvend bllokon ligjet europiane. Mickoski është njeri pa vizion dhe bashkë me Apasievin duan që të kthejnë shtetin në të kaluarën e errët: frikë, izolim dhe ndasi të brendshme.”,- thuhet në komunikatën e LSDM-së. 
 
Socialdemokratët deklarojnë se nuk do të lejojnë kthimin mbrapa të vendit dhe në vazhdimësi kanë kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve, në të cilat këmbëngul VMRO.

MERAL ISMAILI