Maqedoni

Nuredini: Pa impiant për ujërat e zeza në Shkup nuk mund të anëtarësohemi në BE

29.11.2022 15:34

Projekti për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza është në fazën e vlerësimit përfundimtar...

Projekti për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza është në fazën e vlerësimit përfundimtar, bën të ditur ministri i ambientit, Naser Nuredini. Sipas tij, obligimet e Qytetit të Shkupit për kompletimin e dokumentacionit urbanistik dhe procesin e shpronësimit janë ende të hapura. Kontrata e ndërtimit, sipas planit të punës, është planifikuar të nënshkruhet në shkurt të vitit 2023. Mjetet për këtë projekt janë siguruar nga një kredi nga Banka Evropiane për Investim dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe grande në vlerë prej 70 milionë euro nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor të BE-së. 
 
“Nëse nuk kemi një impiant për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup, nuk do të jemi kurrë anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo është një kërkesë bazë e BE-së, që ne të kemi stacionet tona dhe të kemi infrastrukturë për grumbullimin dhe menaxhimin e mbetjeve. Prandaj ne si Qeveri investojmë në projekte të tilla.”,- theksoi ministri i ambientit, Naser Nuredini.
 
Lidhur me ndërtimin e sistemit kolektor për Qytetin e Shkupit, ministri Nuredini informoi se për shkak të një sërë problemesh gjatë ndërtimit nga kontraktori, kontrata është ndërprerë dhe projekti do të përfundojë me mjete nacionale. Sipas tij, mbeten ende 900 metra tubacione dhe dhjetë puseta për t'u vendosur. Nuredini njëhetit informoi se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është duke përgatitur Programin e Veçantë të Financimit për Menaxhimin e Mbeturinave, i cili është krijuar për kthimin e mjeteve të mbledhura nga tarifa për qeset e biodegradueshme për transportin e mallrave në projektet mjedisore. Programi parashikon blerjen e 5.000 kontejnerëve dhe shportave për seleksionimin e mbetjeve për amvisëri, të cilat do t'i ndihmojnë komunat të sigurojnë kushtet për ngritjen e sistemit të menaxhimit të mbetjeve.
 
GYLTENE SINANI