Maqedoni
Nuland: zgjidhja e emrit edhe në të mirë të Greqisë
28.01.2015 14:40
Zëvendëssekretarja shtetërore e SHBA-ve për Evropë, Viktoria Nulland, ka deklaruar se zgjidhja e kontestit të emrit do të jetë në të mirë edhe të Greqisë...

Duke folur për problemet për marrëdhëniet trans-atlantike, Nulland tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bashkëpunojnë edhe me Qeverinë e re greke të udhëhequr nga koalicioni ultra-majtist “Syriza”, por shtoi se kontesti me emrin ekziston tashmë një kohë të gjatë, prandaj kërkohet zgjidhje urgjente, me ç’rast Maqedonisë do të mund t’i hapen dyert për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
“Shpresoj se do të mund të kthehemi në diskutime me Qeverinë e re greke dhe të bëjmë përpjekje të përbashkëta për ta zgjidhur kontestin shumëvjeçar me emrin, për shkak të cilit Maqedonia akoma nuk mund të jetë anëtare e NATO-s dhe BE-së. Ne vazhdojmë të shpresojmë se do të arrijmë një kompromis për zgjidhje përfundimtare të emrit, sepse tejkalimi i këtij pragu për anëtarësim nuk është vetëm në dobi për Maqedoninë dhe Ballkanin në përgjithësi, por dhe për palën greke gjithashtu. Prandaj shpresojmë për hapjen e bisedimeve në këtë drejtim me Qeverinë e re greke”- ka thënë mes tjerash Viktoria Nulland gjatë një fjalimi në Brukins të Uashingtonit.
Stabiliteti i Ballkanit varet nga vazhdimi i politikës së dyerve të hapura të NATO-s dhe BE-së, është shprehur Nulland, për të paralajmëruar gjithashtu masat konkrete për t’i ndihmuar Ballkanit në drejtim të zvogëlimit të varshmërisë nga gazi rus, i përcjellë nga Ukraina.
Për këtë qëllim, ka thënë më tej Nulland, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin ndërtimin e lidhjes inter-konektuese mes Greqisë dhe Bullgarisë, me ç’rast Bullgaria do të mund të furnizohet me gaz të importuar nga Athina, si dhe me ndërtimin edhe të një stacioni të ngjashëm në një nga ishujt kroat.
MERITA GASHI
