Maqedoni

Kuvend, përfaqësimi i drejtë ende lë për të dëshiruar

28.01.2015 14:46

Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në Kuvendin Republikan 14 vjet nga nënshkrimi i MO-së, ende lë shumë për të dëshiruar...

Në Kabinetin e Kryetarit të Kuvendit nga gjithsej shtatë të punësuar, ka vetëm një shqiptare me status bashkëpunëtore më e re.
 
Nga gjithsej 15 sektorë, vetëm tre udhëhiqen nga kuadro shqiptare, përfshi këtu edhe sektorin për përkthime.
 
Shumica e të punësuarve kanë mbetur si bashkëpunëtorë më të ri edhe pse kanë bërë mbi pesë vjet përvojë pune dhe në ndërkohë kanë rritur nivelin e arsimit.
 
Gjendjen e konfirmon edhe nënkryetari i Kuvendit, Rafiz Haliti. Ai zotohet se përfaqësimi adekuat në kuvend do të përmirësohet me sistematizimin e ri.
 
“Po, është më se i saktë konstatimi i juaj dhe informata. Gjithsesi se ky është një proces i cili duhet të ndodh. Në mandatin e kaluar kur isha nënkryetar, formuam për herë të parë sektorin për përkthime në gjuhën shqipe këtu në Kuvendin e RM-së. Gjithsesi se në atë mandat arritëm përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, do të thosha, por them është një proces, pasi që shumë të punësuar janë pensionuar apo kanë shkuar në institucione të tjera, kështu që gjithsesi se ngel që në këtë mandat dhe atë gjë ne e kemi iniciuar edhe në kryesinë e kuvendit se duhet të parashihet edhe një herë sistematizimi i ri”- deklaroi nënkryetari i Kuvendit të RM-së, Rafiz Haliti.
 
Sipas Halitit, vendet të cilat janë zbrazur do të plotësohen me kuadro të reja dhe kuadri i cili sot i përmbush kushtet e parapara me ligj dhe sistematizimin e kuvendit do të avancohet.
 
“Kuadrot e pranuara para katër vitesh tash i plotësojnë të gjitha kushtet dhe ngel që aty ku kemi mundësi, gjithsesi se do të bëhen edhe avancime”- deklaron nënkryetari i Kuvendit, Rafiz Haliti. 
 
SHPËTIM NUREDINI