Maqedoni

LSDM: Gjermania mbështetës strategjik, Mickovski hesht

30.11.2022 14:30

Vizita e presidentit gjerman, Frank-Walter Steinmeier, rikonfirmon mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë...

Vizita e presidentit gjerman, Frank-Walter Steinmeier, rikonfirmon mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, thonë nga LSDM. Ata nuk kursyen akuzat ndaj VMRO-DPMNE-së opozitare dhe liderit të tyre, Hristijan Mickovski, se po hesht dhe nuk komenton mesazhet e qarta të partnerit strategjik pa u konsultuar me Apasievin e të Majtës. 
 
“Hristijan Mickoski hesht dhe nuk komenton mesazhet e qarta të partnerit tonë strategjik. Si shpeshherë më parë, me sa duket Mickoski fillimisht do të kontrollojë qëndrimin e Apasievit, peng i të cilit është, e më pas do t'i japë urdhër Pallatit të Bardhë se si do të komunikojë partia.”,- thuhet në një deklaratë me shkrim të LSDM-së. 
 
VMRO-DPMNE: Jo ndryshime kushtetuese me këto kushte
 
Por, VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin se deputetët e tyre nuk do të mbështesin ndryshimet kushtetuese në këto rrethana.
 
“Për sa i përket deklaratës së presidentit gjerman, më duhet të them ai ishte qëndrimi i tij personal. VMRO-DPMNE është parti e popullit dhe pikëpamjet e veta i artikulon sipas mendimit të popullit. Ne do të mbetemi gjithmonë në pozitën e popullit të Maqedonisë sepse kjo është esenca e funksionimit tonë. Në këtë moment dhe në momentet që na presin nuk do të ketë ndryshim qëndrimi. VMRO-DPMNE nuk do të mbështesë votimin e ndryshimeve kushtetuese në këto kushte.”,- u shpreh Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
 
Kovaçevski: Obligim të marrim vendimet që janë para nesh
 
Kryeministri Kovaçevski thotë se të gjithë deputetët ua kanë borxh qytetarëve votën pro ndryshimeve kushtetuese.
 
“Të gjitha partitë politike, të gjithë deputetët në Kuvend kanë obligim ndaj qytetarëve që të marrin vendimet që janë para nesh, të cilat do të na mundësojnë anëtarësimin sa më të shpejtë në BE.”,- tha kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
 
Presidentit gjerman, gjatë fjalimit të tij në Kuvend, kërkoi nga deputetët që të mos dorëzohen në metrat e fundit për integrimin e vendit në BE. 

NAIM RAMADANI