Maqedoni

Decentralizimi më i madh i komunave, Penov: Do të bëhet kur të ketë vullnet politik

30.11.2022 14:59

Se kur komunat do të kenë decentralizim më të madh varet vetëm nga deputetët në parlament...

Se kur komunat do të kenë decentralizim më të madh varet vetëm nga deputetët në parlament, tha ministri i Vetëqeverisjes Lokale,  Risto Penov, pas takimit me kryetarin e Tetovës, Bilal Kasami. Sipas tij, më së shumti është duke menduar për decentralizim financiar, gjegjësisht komunat të marrin më shumë mjete nga shteti, të cilat i mbledhin përmes tatimit mbi vlerën e shtuar.
 
“Datë nuk mund të ketë, por po punohet për ato procese, po kërkojmë momentin kur do të ketë vullnet politik që një ligj i tillë sistematik të kalojë në parlament. Hapat e mëtejshëm për decentralizimin janë duke u punuar. Në momentin që Kuvendi është i bllokuar, nuk është reale të pritet hapja e një debati të tillë.”,- deklaroi ministri i Vetqeverisjes, Lokale Risto Penov.
 
Kasami: Ka mbivendosje kompetencash e sorollatje
 
Kreu i Tetovës, Bilall Kasami, akuzon për mbivendosje të kompetencave mes autoriteteve qendrore dhe lokale e se sorollatjet institucionale pengojnë zgjidhjen e problemeve reale.
 
“Për mua është e pakuptueshme që PUD, në veçanti, të shkojë në Ministrinë e Transportit për miratim, është e kuptueshme që PUQ-ja dhe Plani hapësinor, të cilat janë edhe me interes kombëtar, të menaxhohen nga autoriteti qendror në Ministria e Transportit. Por, kur të punohet dhe të flasim për organizimin e brendshëm të qyteteve të komunave do të ishte një kompetencë e pastër komunale lokale.”,- u shpreh kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
Teksa presin kohë më të mira për decentralizimi e plotë, Kasami dhe Penov nënshkruan marrëveshjen për bashkëfinancimin e projektit të Programit Ndërkufitar IPA me Kosovën 2014-2020 – “Ringjallja e zejeve dhe ndërtimi i kulturës për zhvillimin e përbashkët të turizmit”.
 
VISAR SADIKI