Maqedoni

Dorëheqja e Cërvenkovskës, Kovaçevski dhe Tupançevski: Të paraqiten trysnitë

30.11.2022 15:35

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, ka ftuar kryetaren e këshillit gjyqësor, Pavlina Cërvenkovska...

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, ka ftuar kryetaren e këshillit gjyqësor, Pavlina Cërvenkovska, që të paraqes presionet e deklaruara politike dhe të biznesit të cilat ndikuan në dorëheqjen e saj. Kryeministri thotë se ajo ka në dispozicion të gjitha institucionet shtetërore për të zbardhur rastin.
 
“Nëse kjo ka ndodhur atëherë asaj i mbeten në dispozicion të gjitha institucionet në shtet ku mund të paraqesë nëse tek ajo ka pasur ndikime politike dhe të biznesit ashtu siç ajo deklaroi gjatë dorëheqjes. Nëse kjo ka ndodhur, atëherë këtë do të duhet ta bëj në institucionet relevante në formën adekuate.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Në të njëjtën vijë edhe ministri i drejtësisë, Nikolla Tupançevski, për të cilin është brengosës fakti I denoncimeve të bëra nga Cërvenkovska.
 
“Dëgjuam deklaratën e kryetares të një nga institucioneve më të fuqishme në shtet sa I takon gjyqësorit, ajo është Cërvenkovska e cila dha dorëheqje. Me dorëheqjen e saj kishte një koment të caktuar që na brengosi. Nëse me të vërtetë ajo e konfirmon atë që e tha si deklaratë zyrtare, do të ishte mirë ta paraqiste deri tek institucionet.”,- theksoi ministri i drejtësisë, Nikolla Tupançevski.
 
Këshilli Gjyqësor mblidhet më 5 dhjetor për të zgjedhur kryetarin e ri pas dorëheqjes të një dite më parë të Pavlina Cërvenkovskës, e cila u zgjodh në këtë post më 28 prill të vitit 2021. Dorëheqja e Cërvenkovskës vjen pas seancës së fundit të Këshillit Gjyqësor, kur pati rebelim të shtatë anëtarëve të zgjedhur nga gjyqtarët që penguan kalimin e listës së gatshme për votim për pozitat kyçe në Akademinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
 
MERAL ISMAILI