Maqedoni
Rasti “Tot”, 52 vjet burg për tre të akuzuarit
30.11.2022 15:53
Gjithsej 52 vjet heqje lirie për tre të akuzuarit për vrasjen e hendbollistit kroat, Denis Tot...

Gjithsej 52 vjet heqje lirie për tre të akuzuarit për vrasjen e hendbollistit kroat, Denis Tot, i cili ishte rrahur deri në vdekje para një klubi të natës në Parkun e Qytetit në Shkup. Anxhelo Gjorgjievski dhe Klementina Levkovska janë dënuar me nga 18 vjet burg, ndërsa i akuzuari, Andrej Kostovski, me 16 vjet. Provat më të besueshme për këtë vendim kanë qenë video-incizimet nga kamerat e sigurisë të disa lokaleve në vendin e ngjarjes.
“Gjykata e ka vlerësuar sjelljen e tre të akuzuarve si rrethanë rënduese, pas veprës penale që edhe para ekipit të ndihmës së shpejtë nuk kanë treguar se ata i kanë shkaktuar goditjet ndaj viktimës dhe në cilat pjesë të trupit. Ata nuk e kanë paraqitur rastin në polici natën kritike. E akuzuara Klementina, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për t’i ofruar ndihmë viktimës, ndërsa i akuzuari Anxhello, pas ngjarjes ishte për një kohë në arrati dhe i pakapshëm për organet e ndjekjes.”,- tha gjykatësja, Elena Ilievska Josifoviq.
Mbrojtja: Dënimi është drakonik, do ta ankimojmë
Mbrojtja paralajmëroi ankesa në instancë më të lartë.
“Sa i përket bazës edhe lartësisë së dënimit, gjithsesi se do ta ankimojmë vendimin.”,- theksoi avokati mbrojtës, Elenko Millanov.
“Edhe vetë e patë se nga kamerat e sigurisë nuk janë lëndime që do të shkaktonin vdekjen.”,- deklaroi avokati mbrojtës, Emill Guguçevski.
“Mendoj se aktvendimi është drakonik, është shumë i lartë. Mendoj se një tragjedi nuk zgjidhet me një tragjedi tjetër.”,- u shpreh avokati mbrojtës, Ilija Tanev.
Prokuroria Publike: Dënimi është në suaza të ligjit
Për prokurorinë dënimi është në suaza të parapara me ligj.
“Dënimi është në suaza të asaj që është e paraparë me ligj. Është vendim i gjykatës, faktet në mënyrë të drejtë janë vlerësuar.”,- tha prokurorja, Tanja Trajçevska.
Përskaj dënimit me burg, gjykata ka vendosur që të akuzuarit t’i paguajnë dëmshpërblim familjes së hendbollistit nga 9 milion denarë për nënën dhe babanë, ndërsa nga 8 milion denarë për vëllanë e Denis Totit.
FLORIJE BELULI KAMBERI
