Maqedoni

Takimi i ministrave të NATO-s, Stoltenberg: Ndihmojmë Ukrainën, përkrahim partnerët

30.11.2022 16:34

Ministrat e jashtëm të NATO-s, në takimin dyditor në Bukuresht, janë dakorduar të vazhdojnë ta ndihmojnë Ukrainën..

Ministrat e jashtëm të NATO-s, në takimin dyditor në Bukuresht, janë dakorduar të vazhdojnë ta ndihmojnë Ukrainën ushtarakisht me plan afatgjatë. Por, Rusia nuk duhet nënvlerësuar, përkujton sekretari i përgjithshëm  i Aleancës, Jens Stolteberg. Në mbledhje është diskutuar edhe për rritjen e bashkëpunimit me Bosnjë-Hercegovinën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë. 
 
“Në seancën tonë të fundit ministrat e jashtëm të Bosnjë-Hercegovinës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë na u bashkuan - tre partnerë të vlerësuar të NATO-s të cilët përballen me presionin rus. Diskutuam  shqetësimet tona të përbashkëta të sigurisë dhe mënyrat për të forcuar bashkëpunimin tonë. Aleatët ranë dakord për përmirësimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes. Lufta në Ukrainë ka treguar varësinë tonë të rrezikshme nga gazi rus, por kjo duhet të na e grisë vetëdijen nga varësitë e regjimeve tjera autoritare, aq më tepër nga Kina.”,- deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
Osmani: Nevojitet integrimi euro-atlantik rajonal
 
Integrimi i plotë euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor siguron stabilitet dhe paqe, ka thënë ministri i jashtëm, Bujar Osmani, dhe, sipas tij, partneriteti i NATO-s me rajonin është kyç në menaxhimin e krizave dhe kërcënimeve të përbashkëta.
 
“Si vend anëtar më i ri i NATO-s, Maqedonia e Veriut fuqishëm përkrah  poetikën e hapjes së dyerve dhe për këtë japim mbështetje për anëtarësimin e Bosnjë–Hercegovinës dhe Kosovës, me çka rajoni do të prosperonte dhe do të kishte dobi edhe Aleanca.”,- tha ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
 
Kërcënimet ruse pretendojnë shtrirje globale, andaj në kryeqytetin rumun ministrat e paktit kanë konstatuar nevojën për bashkëpunim edhe me partnerët e rajonit indo-paqësor si dhe me Bashkimin Evropian.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU