Ekonomi

Prej të enjtes nis ulja e çmimeve, buka ulet për 13%, qumështi pas Vitit të Ri

30.11.2022 17:54

Prej kësaj të enjte pritet ulje e çmimeve të produkteve ushqimore bazë nga pesë deri 13%...

Prej kësaj të enjte pritet ulje e çmimeve të produkteve ushqimore bazë nga pesë deri 13%. Disa furra paralajmëruan se buka do të mund të blihet me 32 denarë. Ulje mbi 10 për qind do të pësojnë edhe produktet e mishit, por kjo vetëm nëse Qeveria merr një vendim për heqjen e taksave për lëndët e para të importuara, siç kërkojnë kompanitë e këtij sektori. Por, ulje të çmimeve në dhjetor nuk mund të priten për produktet e qumështit, të cilat sipas përpunuesve do të jenë më të lira nga janari.
 
Inspektorati Shtetëror i Tregut prej nesër do të kryejë kontrolle tek tregtarët për të parë nëse respektojnë masën për uljen e çmimeve të produkteve bazë. Aty ku do të konstatohen parregullsi, do të pësojnë edhe gjoba.
 
Ulja e çmimeve të disa prej produkteve ushqimore bazë u mundësua pas vendimit që këta prodhues të mund të blejnë energji elektrike me çmim të subvencionuar prej 80 euro për megavat orë. Kryeministri Kovaçevski siguroi qytetarët se ka mjete për t’u ballafaquar me krizën energjetike.
 
“Me rebalancin e buxhetit janë siguruar mjete deri në fund të vitit dhe me buxhetin e vitit 2023 parashikohen mjete financiare për ballafaqim me krizën energjetike për shkak se kriza energjetike nuk do të mbarojë më 31 dhjetor por do të vazhdojë edhe në muajt në vazhdim.”,- deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Kompanitë vlerësojnë se çmimi i rregulluar i energjisë elektrike, i kombinuar me masën për marzha në shitje me pakicë, do të japë efekt.
 
GAZMEND KURTISHI