Maqedoni
Rikthehet ngrohja në Çair e Butel, ESM do të menaxhojë me Ngrohtoren “Shkup Veri”
30.11.2022 18:08
Ngrohtorja “Shkup Veri” dhe SH. A “Elektranat e RMV-së”, nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim teknik...

Ngrohtorja “Shkup Veri” dhe SH. A “Elektranat e RMV-së”, nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim teknik. Elektranat e RMV-së do të menaxhojnë me ngrohtoren “Shkup Veri”, që furnizon me energji termike qytetarët në komunat Çair dhe Butel, institucionet, kopshtet dhe shkollat. Kjo do të thotë se më në fund pas 5 ditësh, radiatorët do ngrohen sërish.
Ngrohja qendrore në Shkup, Kovaçevski: Kemi siguruar gaz për në dhjetor
Më herët ESM njoftoi se për muajin dhjetor është siguruar gaz natyror nga "Makpetrol prom-gas" dhe energji termike nga TE-TO. Sipas kryeministrit Kovaçevski, kjo i mohon njoftimet se nga e enjtja nuk do të ketë ngrohje për shkupjanët dhe se ka vetëm rezerva të gazit por jo edhe blerje të sasive të reja.
“Kjo nuk është e vërtetë, sepse para tre ditëve ESM ka lidhur marrëveshje për furnizim me gaz nga “Makpetrolli” dhe për tërë muajin dhjetor është siguruar ngrohje për Qytetin e Shkupit.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Kovaçevski: Opozita të mos bllokojë ligje për energjetikën
Kovaçevski i bëri thirrje opozitës të mos bllokojë ligje që kanë të bëjnë me energjetikën.
“Ka shtatë ligje që kanë të bëjnë edhe me projektet investuese të korridorit 8 dhe ata i bllokojnë vetëm për arsye politike. Duhet të ndalojnë këtë dhe të punojnë për shtetin. Bllokuan 100 milion euro kredit nga Banka Evropiane me kamatën më të ulët të mundshme vetëm për shkak të pikëve politike.”,- u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Paraprakisht, nga Elektranat theksuan se përçimi i ngrohjes po rrjedh pa ndërprerje dhe se ashtu do të vijojë edhe në periudhën e ardhshme.
FLUTURA LATIFI
