“Fridom Hause”: Maqedonia, vend pjesërisht i lirë
Maqedonia cilësohet si vend pjesërisht i lirë, duke marrë notën 3.5 në një sistem matës me një shkallë nga 1 deri në 7, ku 1-shi përfaqëson liritë më të mëdha dhe 7-ta mungesën më të madhe të lirive...

Vlerësimi i tillë për Maqedoninë del nga raporti vjetor i organizatës “Fridom Haus”. Sipas këtij dokumenti, vendi shënon rënie për një pikë sa i përket lirive politike krahasuar me raportin paraprak të vlerësuar me 3 pikë. Sa i përket lirisë së qytetarëve, Maqedonia e mban të njëjtin vlerësim me notën tre.
Edhe Shqipëria dhe Kosova vlerësohen si vende pjesërisht të lira. Për Kosovën është shënuar një përparim, duke u konsideruar për herë të parë mes vendeve me demokraci elektorale.
Një vlerësim pozitiv kanë marrë edhe masat kundër krimit të organizuar, por vërehet se Shqipëria vazhdon të vuajë pasojat e mosmarrëveshjeve politike. Në grupin e vendeve pjesërisht të lira mes tjerash janë edhe Bosnja e Hercegovina, Ukraina dhe Moldova. Nga rajoni, në grupin e vendeve të lira janë: Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi.
Në shkallë globale, “Freedom House” vlerëson se në vitin 2014 liria ka rënë për të 9-in vit me radhë, për shkak të taktikave agresive nga regjimet autoritare dhe shtimit të sulmeve terroriste. Si vend më i keq në drejtim të realizimit të lirive në botë cilësohet Siria, ku atje tanimë katër vite mbretëron luftë qytetare. Raporti citon gjithashtu edhe ndërhyrjen ruse në Ukrainë, zhvillimet në Egjipt dhe Kinë, si shembuj të lirisë së kufizuar. (Meral Ismaili, TVM2)
