Këshilli Inspektues: As inspektorët nuk i shpëtojnë drejtësisë

28.01.2015 15:32

Këshilli Inspektues ka pranuar vetëm vitin e kaluar 115 parashtresa...

Pjesa më e madhe kanë të bëjnë me mbrojtjen e tregut dhe marrëdhënieve të punës, më pas vijnë ankesat  në sferën  e  urbanizimit dhe transportit. Drejtësisë së Këshillit Inspektues nuk i kanë ikur as vetë inspektorët. Numri një i këtij institucioni, Vanço Kargov, sqaroi se 14 ankesa kanë të bëjnë me veprimin e inspektorëve dhe në 2 raste kanë nisur procedura për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore të inspektorëve.

“Gjatë vitit të kaluar deri te ne kanë arritur 115 parashtresa. Numri më i madh janë lidhur me inspektimin e tregut, inspektimin e punës, për këto dy fusha ka më shumë parashtresa, por ka edhe për industrinë e ndërtimtarisë. Inspektimi i ndërtimtarisë është i vendosur në komuna, ndërsa Këshilli Inspektues nuk ka kompetenca mbi këtë inspektorat”- deklaroi drejtori i Këshillit Inspektues Republikan, Vanço Kargov.

Por, megjithëse Këshilli Inspektues nuk ka kompetenca për inspektorët komunal, gjithsesi 32 parashtresa drejtuar këtij këshilli kanë të bëjnë pikërisht me punën e inspektorëve komunal. Kompetencat mbi punën e shërbimeve inspektuese bien drejtpërdrejt në vetëqeverisjen lokale, thotë Kargov, duke shtuar se gjithsesi problemet e qytetarëve në këtë drejtim mundohen t’i zgjidhin përmes bashkëpunimit me komunat dhe Inspektoratin Shtetëror Administrativ.

Nga Këshilli Inspektues apelojnë që qytetarët të mos kenë frikë, por çdo veprim të paligjshëm të inspektorëve ta paraqesin deri te ky këshill.

Këshilli Inspektues është institucion që mbikëqyr tregun e punës, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shëndetin e njerëzve, ndërtimtarinë, bujqësinë, arsimin dhe administratës, duke hetuar punën e inspektorëve në këto fusha edhe pas ankesave të qytetarëve ose personave juridikë. Këshilli i ri  Inspektues ka më shumë kompetenca në duart e tij.

Ai monitoron punën dhe statusin e inspektorëve dhe ka të drejtë t’i dënojë apo t’ua marrë licencat nëse vërteton se puna e tyre është e kundërligjshme. (Sanije Kasami, TVM2)