Transporti privat publik, LSDM dhe VMRO-DPMNE fajësojnë njëra-tjetrën
Pushteti dhe opozita kanë vazhduar ta fajësojnë njëra tjetrën....

Pushteti dhe opozita kanë vazhduar ta fajësojnë njëra-tjetrën rreth ndërprerjes së transportit publik nga operatorët privat.
Nga LSDM thonë se paaftësia dhe interesat afariste të VMRO-DPMNE-së janë arsyeja e vetme për kolapsin e Ndërmarrjes Publike për Transport në Shkup.
Sipas tyre, NQP me kontratë furnizohet me çmim më të lartë të karburantit se sa çmimi aktual dhe përgjegjësinë për këtë shembull klasik të shpenzimit shpërdorues të parasë publike e ka bordi drejtues, që cilit janë kryesisht nga VMRO-DPMNE.
“NQP do të blejë 14 milionë e gjysmë litra naftë me çmim prej 100 denarë për litër plus 18 për qind TVSh, përkatësisht për 118 denarë për litër. Vlera e kontratës është 1,71 miliardë denarë me TVSH ose gati 30 milionë euro. Çmimi i dizelit sot është 86,5 denarë për litër, ndërsa konsumi ditor i karburantit të JSP është nga 25 deri në 28 tonë. NQP bën humbje ditore prej 1.000.000 denarë ose rreth 500.000 euro në muaj. Ky është një shembull klasik se si pompohen paratë nga qytetarët dhe një shembull se si Ndërmarrja Publike futet në humbje. Ku përfundon diferenca midis çmimit aktual dhe çmimit të përcaktuar në marrëveshje, i cili është shumë më i lartë?”,- tha Gordan Shutarov nga LSDM.
Por, nga VMRO-DPMNE e kanë hedhur topin në tjetrën anë. Sipas tyre, fajin për transportin në Shkup e ka Arsovska dhe stafi i LSDM-së në NQP dhe Stojkovski, që me nënshkrimin e tij është bërë edhe blerja e derivateve prej 2 euro për litër.
“LSDM nuk duhet të manipulojë publikun. Publiku e pa drejtorin e NQP-së të emëruar nga Arsovska duke u ulur në takim në selinë e LSDM -së. Drejtori i NQP -së kuadër i LSDM-së. Së bashku me Arsovskën, ai është fajtori kryesor për problemet me transportin në Shkup. Blerja e derivateve prej 2 euro për litër është e mundur vetëm me nënshkrimin e drejtorit të NQP-së Stojkovski, anëtar i LSDM-së. Koalicioni LSDM-Arsovska është i qartë dhe drejtori i NQP-së është një nga frytet e atij koalicioni. Kovaçevski dhe Arsovska nuk duhet të fshihen dhe nuk duhet të pretendojnë se janë palë të kundërta, të gjithë e dinë se ata kanë takime sekrete për të negociuar marrëveshje të dyshimta, përfshirë edhe këtë marrëveshje.”,- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. (Naim Ramadani, TVM2)
