Projekti IPA, aktivizimi i grupeve të cenueshme në tregun e punës

01.12.2022 14:34

Agjencia për Punësim në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale...

Agjencia për Punësim në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe delegacionin e BE-së në Shkup kanë prezantuar masat dhe shërbimet për punësim të IPA projektit “Aktivizimi i Grupeve të Cenueshme në Tregun e Punës”, masë kjo e cila parasheh t’i përfshijë mijëra persona.

Qëllimi i përgjithshëm i projektit është zvogëlimi i papunësisë dhe varshmëria nga të ardhurat e garantuara minimale, me përfshirjen efektive të grupeve të cenueshme në tregun e punës.

Me planin operativ për punësim për vitin 2022 parashikohet përfshirja e rreth 13 mijë personave të papunë. “Programi për profesionet e kërkuara në tregun e punës” parashihet të përfshihen 1180 persona, tek programi “Trajnim në vendin e punës” duhet të përfshihen 30 persona, “Punësim i subvencionuar” do të përfshijë 840 vende, “Praktika me përfshirjen e paraparë” prej 400 personave, programi “Shansi i dytë” do të përfshijë 200 persona.                                                                                                               

“Me planin operativ për programet dhe masat aktive për punësim dhe shërbim në tregun e punës për vitin 2022 parashikohet përfshirja e rreth 13 mijë personave të papunë, deri më tani kemi arritur në shkallën e realizimit, pra më shumë se 10 mijë të papunë janë përfshirë në programet dhe masat aktive për punësim. Nga përfshirja e realizuar, 6765 persona - apo 67 për qind janë të rinj të papunë, 4467 persona - apo 44 për qind janë gra, 414 persona të pa punë - 4,2 për qind janë romë, ndërsa 1127 persona presin për t’u punësuar në një afat më të gjatë kohor.”,- deklaroi drejtori i Agjencisë për Punësim, Bekim Murati.                                                                                                                

“Varfëria tek personat e papunë është rritur për dallim prej viteve të kaluara, prandaj kanë qenë të patjetërsueshme hartimi i masave nga ana e Qeverisë. Politikat e tregut të punës janë të drejtuara në drejtimi të krijimit të mundësive për krijimin e vendeve të reja të punës dhe kyçjen e të rinjve dhe personave të papunë në këto projekte.”,- theksoi zëvendësministri i MPPS-së, Enver Husejin.                                                                                                                      

“Kjo është e një rëndësie të veçantë për Bashkimin Europian, sistematizimi në tregun e punës të personave përmes këtyre programeve kanë për qëllim detektimin e barrierave dhe vështirësive personale dhe profesionale me të cilat ballafaqohet shfrytëzuesi gjatë procesit të trajnimit. Përmes këtyre investimeve, punës praktike dhe subvencionimeve, po mundësojmë përmirësimin e aftësive dhe diturive të shfrytëzuesve të ndihmës së garantuar që të kyçen në tregun e punës.”,- u shpreh shefi për bashkëpunim i delegacionit të BE-së në Shkup, Shtefan Hudolin.

Projekti “Aktivizimi i Grupeve të Cenueshme në Tregun e Punës” ka filluar të zbatohet nga 20 shtatori i vitit 2019 dhe është me një kohëzgjatje prej 54 muajve, ndërsa buxheti i tërësishëm i projektit është mbi 4 milion denarë, prej të cilave 3 milion janë siguruar përmes grandeve nga BE. (Fitim Kryziu, TVM2)