Maqedoni
Konventa nacionale për BE - sesioni i 5, Gir: Qasja në BE duhet të jetë projekt nacional
01.12.2022 14:58
Integrimi në BE duhet të jetë projekt kombëtar, pavarësisht se kush është në pushtet....

Integrimi në BE duhet të jetë projekt kombëtar, pavarësisht se kush është në pushtet. Për realizimin e këtij projekti duhet të angazhohet i gjithë spektri politik dhe e gjithë shoqëria, porositi ambasadori i BE-së, Dejvid Gir, në Konventën Nacionale për BE-në. Veç kësaj, thelbësor mbetet sundimi i shtetit ligjor dhe zbatimi i mirëfilltë i ligjit, theksoi Gir, duke nënvizuar se ky proces transformues nuk mund të ndodh pa përfshirjen e agjencive për zbatimin e ligjit, policisë, inspektorëve, gjykatësve dhe prokurorëve.
“Qasja në BE duhet të jetë projekt nacional, dhe me shprehjen projekt nacional unë nënkuptoj atë që I gjithë spektri politik duhet të angazhohet për interesat kombëtare dhe zbatimin e reformave lidhur me BE-në. Debati nacional në Kuvend dhe në vende të tjera nuk do të thotë se opozita duhet të ndalojë të punojë. Kuptohet që jo. Roli që ajo ka në rishikimin e politikave është me rëndësi vitale, por duhet të ketë siguri që vendi do të vazhdojë në rrugën drejt qasjes në BE me rritëm të njëjtë të zbatimit të reformave pavarësisht se kush është në pushtet.”,- tha ambasadori i BE-së, Dejvid Gir.
Pendarovski: Pasiguria juridike, shkas për emigrim
Mosfunskionimi i shtetit ligjor dhe mosbesimi në institucione është një ndër arsyet kryesore që qytetarët po braktisin vendin, konstaton presidenti, Stevo Pendarovski.
“Jemi dëshmitarë se mungesa e sigurisë juridike dhe ndjenja se përkatësia partiake dhe etnike janë më të rëndësishme se dituria dhe shkathtësitë që keni janë arsyet kryesore për migrimin e të rinjve, krahas tyre migrojnë edhe persona të cilët janë etabluar mirë në shoqëri, me karrierë dhe standard jetësor solid për kushtet tona. Për to dhe për gjithë të tjerët, shteti juridik funksional është çështje e cilësisë së jetesës. Në këtë drejtim, jo rastësisht, sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar janë vlerat fondamentale në proces të integrimit në BE.”,- u shpreh kryetari i RMV-së, Stevo Pendarovski.
Nikollovski: Bie entuziazmi për anëtarësim në BE
Sipas nënkryetarit të VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski, njëkohësisht kryetar i Këshillit Nacional për Eurointegrime, entuziazmi për anëtarësim në BE po bie gjithnjë e më shumë.
“Për qytetarin e rëndomtë, anëtarësimi në BE ka të bëjë me dy çështje, gjendjen ekonomike dhe jetë më të mirë dhe në shtet funksional juridik. Për momentin, për fat të keq, s’e kemi asnjërën. Për pjesën më të madhe të qytetarëve kjo mbetet dëshirë e largët, një pjesë e madh e qytetarëve vendosin të lëshojnë vendin, ndërsa entuziazmi për anëtarësim në BE, gjithnjë e më shumë, po bie.”,- tha kryetari i KNE-së, Aleksandar Nikollovski.
Koordinatorja e Konventës Nacionale për BE, Mileva Gjurovska, në sesionin e pestë që u mbajt në Kuvend, ripërsëriti rekomandimet për gjyqësi të pavarur me gjykatës dhe prokurorë me integritet ndërkaq, në luftën kundër krimit të organizuar duhet të funksionojë sistemi i konfiskimit të pronës së fituar në mënyrë të jashtëligjshme.
SHPËTIM NUREDINI
