Maqedoni-Hungari, 20 vjet marrëdhënie diplomatike

28.01.2015 15:41

Maqedonia dhe Hungaria sot kanë shënuar 20 vjetorin e raporteve në nivel diplomatik. Për këtë qëllim kjo e fundit i ka ndarë disa pajisje teknike Qendrës për Trajnim që funksionon në kuadër të Sekretariatit për Çështje Evropiane...

Ambasadori hungarez në Maqedoni, Jozef  Bence, thotë se vendi i tij po bën çmos për ta afruar Maqedoninë me familjen evropiane.

“Realizimi i këtij projekti teknik për mbështetje është pjesë e përpjekjeve tona të mëdha për ta afruar Evropën dhe Maqedoninë më afër njëra-tjetrës”- deklaroi ambasadori i Hungarisë në RM-së, Jozef Bence.

“Me kalimin e viteve, Maqedonia po shënon sukses në përgatitjen e kapaciteteve të veta për anëtarësim në BE, harmonizimin e legjislaturës evropiane, si dhe udhëheqjen e fondeve evropiane. Fillimi i negociatave për ne do të ketë ndikim pozitiv për sa i përket reformave, ndërsa kur bëhet fjalë për shoqërinë maqedonase do ta nxisë afrimin e vendit drejt BE-së dhe do ta forcojë kredibilitetin e Bashkimit Evropian në raport me politikat e zgjerimit”- tha sekretari shtetëror në Sekretariatin për Çështje Evropiane, Ana Bllazhevska.

Maqedonia në vazhdimësi po bën përpjekje për t’i përmbushur kriteret e Bashkimit Evropian, tha Bllazhevka, duke shtuar se në këtë drejtim vendi do të ketë një dobi edhe nga përvojat hungareze gjatë procesit eurointegrues të vendit. (Naim Ramadani, TVM2)